
TIRANË- IdentiTek ka reaguar pas raportimeve për një gabim të mundshëm në printimin e pasaportave shqiptare duke sqaruar arsyen e përdorimit të kodit identifikues 'PP'. Sipas institucionit, ky ndryshim nuk lidhet me ndonjë defekt në dokumente, por vjen si rezultat i përshtatjes me standardet e reja ndërkombëtare të udhëtimit.
Në reagimin e saj, IdentiTek sqaron se ndryshimi është bërë në zbatim të udhëzimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), e cila në mars të vitit 2024 miratoi përditësime për dokumentet e udhëtimit të lexueshme nga makinat.
Në bazë të këtyre standardeve kodi për pasaportat e zakonshme është ndryshuar nga 'P' në 'PP', ndërsa për pasaportat e shërbimit nga 'PS' në 'PO'. Formati i ri ka nisur të aplikohet në Shqipëri që prej dhjetorit 2025, ndërsa deri më tani janë prodhuar mbi 300 mijë pasaporta me shënimet e reja.
Institucioni thekson se Shqipëria është gjithashtu pjesë e sistemit PKD të ICAO- s që prej marsit 2025. Ky mekanizëm mundëson kontrollin elektronik të autenticitetit dhe integritetit të të dhënave në çipin e pasaportave biometrike duke kontribuar në sigurinë e dokumenteve të udhëtimit./ZËRI