TIRANË- Pas disa vitesh rritjeje të shpejtë, turizmi në Shqipëri po shfaq shenja ngadalësimi, ndërsa hoteleria po përballet me vështirësi për të ruajtur fitimet.
Ndonëse në vitin 2025 vendi regjistroi një rekord prej 12.5 milionë hyrjesh të shtetasve të huaj, shtimi i vizitorëve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm të rritjes së fitimeve për bizneset. Kostot e personelit, energjisë dhe shërbimeve, zhvlerësimi i euros dhe konkurrenca nga apartamentet me qira ditore po rëndojnë bilancet e operatorëve.
Sipas INSTAT-it, aktiviteti i akomodimit dhe shërbimit ushqimor gjeneroi 235 miliardë lekë, ose rreth 2.4 miliardë euro, gjatë vitit 2025, duke kontribuar me 5.48% në PBB. Megjithatë, rritja reale e sektorit ra në 3.47%, nga 16% një vit më parë, ndërsa hyrjet e të huajve u rritën me vetëm 6.5%.
Paralelisht, qiradhënia afatshkurtër ka marrë një peshë gjithnjë e më të madhe. Në vitin 2025, në Shqipëri jepeshin me qira mesatarisht 26.3 mijë apartamente përmes platformave online, kundrejt 6 mijë në vitin 2021, duke gjeneruar 134 milionë euro të ardhura.
Presioni mbi bizneset reflektohet edhe te shpenzimet, të cilat po rriten më shpejt se fitimet. Për 18 hotele që kanë deklaruar të dhënat financiare, kostot e personelit u shtuan me gati 14% gjatë vitit 2025. Ndërkohë, mundësia për të rritur çmimet mbetet e kufizuar, pasi Shqipëria vazhdon të pozicionohet si destinacion me kosto të ulët. Si rrjedhojë, një pjesë e madhe e të ardhurave përdoret për mbulimin e shpenzimeve, duke lënë marzhe të vogla fitimi.
Edhe pse disa struktura të mëdha kanë regjistruar të ardhura të konsiderueshme, një pjesë e tyre kanë fitime modeste, ndërsa të tjera vijojnë të operojnë me humbje.
Krahasimi me Malin e Zi
Ndërkaq, vendi fqinj regjistroi 2.73 milionë turistë në vitin 2025, por operatorët e tij më të mëdhenj hotelierë realizojnë të ardhura që arrijnë në 25–40 milionë euro në vit. Ndërsa komplekset që ndërthurin hotelet me rezidencat luksoze dhe shërbimet e marinave regjistrojnë edhe dhjetëra milionë euro të tjera.
Mali i Zi ka gjithashtu një orientim më të theksuar drejt strukturave me katër dhe pesë yje, të cilat përbëjnë rreth 64% të kapaciteteve të kategorizuara. Megjithatë, edhe atje xhiroja e lartë nuk garanton gjithmonë fitime të mëdha.
Diferenca tregon se Shqipëria, pavarësisht numrit shumë më të lartë të hyrjeve, ka ende sfida në krijimin e operatorëve të mëdhenj dhe në rritjen e vlerës ekonomike që prodhon turizmi./Monitor