TIRANË- Gjetja e një vendi për të parkuar makinën në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa sigurimi i një garazhi privat kërkon tashmë një investim që në disa zona të kryeqytetit kalon edhe 100 mijë euro.
Një garazh prej vetëm 15 metrash katrorë në zonën e Bllokut është nxjerrë në shitje për 110 mijë euro, çka përkthehet në rreth 7,300 euro për metër katror. Çmimi është dukshëm më i lartë edhe se ai i apartamenteve në të njëjtën zonë, duke treguar se hapësirat e parkimit po kthehen në një pasuri gjithnjë e më të kërkuar.
Vetëm pesë apo gjashtë vite më parë, një garazh në zonën e Komunës së Parisit kushtonte rreth 10-15 mijë euro, ndërsa në zonat qendrore të Tiranës çmimi arrinte maksimumi në 30-35 mijë euro. Sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Në Komunën e Parisit, një garazh kushton të paktën 40 mijë euro, ndërsa çmimet mesatare luhaten nga 50 deri në 60 mijë euro, në varësi të zonës. Në periferi mund të gjenden vende parkimi duke nisur nga 20 mijë euro, por bëhet fjalë kryesisht për hapësira të hapura dhe jo garazhe të mbyllura.
Rritja e çmimeve është reflektuar edhe te qiratë mujore. Në zonën e Komunës së Parisit, një vend parkimi jepet me qira për 12-20 mijë lekë në muaj, nga vetëm 4-5 mijë lekë që kushtonte disa vite më parë. Në Bllok, pagesa mujore kalon 20 mijë lekë. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë shtrenjtim është vendosja e tarifave për parkimin në rrugët publike, ku pagesa prej 100 lekësh në orë ka ndikuar edhe në rritjen e tarifave të hapësirave private.
Presioni mbi tregun e parkimeve pritet të shtohet edhe më tej, pasi numri i automjeteve vazhdon të rritet, ndërsa hapësirat e disponueshme po pakësohen, për shkak të ndërtimeve të reja.
Në fund të tetorit 2026, në Tiranë ishin të regjistruara rreth 390 mijë automjete, afërsisht një e treta e të gjitha mjeteve në vend. Ndërkohë, disa prej hapësirave publike të parkimit në kryeqytet janë mbyllur ose pritet të zëvendësohen nga projekte ndërtimi.
Me shtimin e makinave dhe tkurrjen e vendeve të lira, parkimi po shndërrohet nga një nevojë e përditshme në një shpenzim gjithnjë e më të rëndë për qytetarët. /Monitor