SPANJË-Një organizatë shqiptare e trafikut ndërkombëtar të kokainës është goditur nga autoritetet spanjolle, pasi tentoi të fuste 303 kilogramë kokainë përmes portit të Algecirasit. Mediat e huaja raportojnë se rrjeti drejtohej nga një shqiptar i ndodhur në një burg në Shqipëri.
Sipas medias spanjolle “Levante-EMV”, drejtuesi i grupit, i identifikuar me inicialet I.Z., kishte organizuar në distancë futjen e ngarkesës së drogës, e cila do të shërbente si provë për hapjen e një rruge të re trafikimi drejt Europës. Sipas investigimit drejtuesi i rrjetit mburrej se paguante 10 mijë euro në muaj për ryshfete në burg, në mënyrë që të jetonte në kushte luksi dhe të vijonte të koordinonte aktivitetin kriminal.
Kokaina ishte fshehur në 28 kuti, mes paletave me mish pule të ngrirë, brenda një kontejneri të nisur nga porti i Itajait në Brazil. Ngarkesa mbërriti në portin e Algecirasit më 17 nëntor, me anijen tregtare “Maersk Lota”. Sipas hetimeve, droga do të nxirrej nga kontejneri dhe do të transportohej drejt një vile në zonën e Los Barrios, pranë Algecirasit. Aty pritej të bëhej dorëzimi i saj, por policia ndërhyri në momentin kur të dyshuarit po ngarkonin kokainën në automjete.
Në kuadër të operacionit u arrestuan gjashtë persona, katër prej tyre shtetas shqiptarë, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur. Mes të ndaluarve janë edhe drejtuesi i dyshuar i rrjetit në Spanjë dhe krahu i tij i djathtë, të cilët jetonin prej vitesh në Valencia. Hetuesit dyshojnë se drejtuesi kryesor i organizatës, i cili ndodhet në Shqipëri, është xhaxhai i personit të arrestuar në Spanjë. Ai kishte precedentë të mëparshëm për trafik droge dhe ishte ekstraduar në Shqipëri pas një arrestimi të mëparshëm në Spanjë.