ITALI-Elvis Demçe, trafikanti i njohur shqiptar i drogës, i burgosur nën regjimin 41-bis në burgun e Operas në Itali, ka tentuar të vetëvritet duke u varur me një çarçaf në qelinë e tij. Ai është shpëtuar në kohë nga Policia e Burgut dhe është transferuar në spital, raportojnë mediat fqinje.
Kjo nuk është hera e parë që Demçe, i njohur si 'Zoti i drogës' tenton ti japë fund jetës. Dy tentativa të tjera në vitet e kaluara kishin bërë që avokati i tij, Massimiliano Capuzi, të kërkonte masa si transferimi në një strukturë të mbrojtur, ku Demçe të ndiqte një trajtim terapeutik. Kjo nuk ishte bërë e mundur për arsye të ndryshme, ndoshta edhe për shkak të profilit të tij të lartë kriminal dhe dyshimeve të gjyqtarëve lidhur me gjendjen e tij të vërtetë shëndetësore.
Demçe nuk është dënuar asnjëherë për pjesëmarrje në organizatë mafioze, por për autoritetet antimafia të Romës mbetet një nga trafikantët më të rrezikshëm, ndërsa për gjyqtarët është një kriminel që nuk është shkëputur kurrë nga e kaluara e tij kriminale.
Demçe, i cili është përfolur për lidhje të tij me grupin famëkeq italian Camorra, e kishte etiketuar veten: “Unë jam Zoti”. Shqiptari i lidhur në të kaluarën me Fabrizio Piscitelli, i njohur si Diabolik, lideri i Lazio Irriducibili i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Costacurta dhe Corvesi në korrik të vitit 2022 nga karabinierët e njësisë hetimore Ostia për plagosjen e Marzanit./ZËRI


