Politikë

Sot Asambleja! Veliaj mesazh socialistëve: Fitoret i ndërtuam me djersë, hidhni një sy shokut në krah

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku kujton vitin 2015, kur sipas tij u ndërtua një organizatë politike e bazuar te puna, progresi dhe qytetaria

F.I
Sot Asambleja! Veliaj mesazh socialistëve: Fitoret i ndërtuam me
Erion Veliaj

TIRANË-Teksa kryeministri Edi Rama mbledh  sot Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, u ka drejtuar një mesazh socialistëve. Veliaj shprehet se e pikëllon të shohë “një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve” dhe vlen më shumë “besnikëria e verbër” sesa parimet. Në mesazhin e tij, kryebashkiaku kujton vitin 2015, kur sipas tij u ndërtua një organizatë politike e bazuar te puna, progresi dhe qytetaria, duke theksuar se fitoret elektorale nuk erdhën nga krimi apo grupet e forta, por nga kontributi i socialistëve.

MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS

Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës! Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës. Po a jemi ende ajo parti?

Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?

Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve. Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh! Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë. Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe. Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.

Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj

MOS HUMB