
RINAS- Një alarm për bombë në avionin e linjës Manchester-Rinas ka vënë në lëvizje autoritetet mbrëmjen e sotme, pasi në tualetin e avionit u gjet një letër me një mesazh kërcënues për shpërthim.
Sipas Policisë, njoftimi u mor rreth orës 19:30 nga menaxheri i aeroportit. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet policore ndërhynë në pistë dhe organizuan zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.
Më pas, u ushtrua kontroll në avion, te pasagjerët dhe bagazhet, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët u kontrolluan gjithashtu përmes skanerëve të aeroportit, me qëllim identifikimin e personit që mund të kishte shkruar mesazhin kërcënues.
Nga kontrollet nuk u gjet asnjë lëndë apo send shpërthyes. Ndërkohë, në hetime është përfshirë edhe Antiterrori, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin e personit që ka shkruar letrën
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën./ZËRI