VLORË-Sot Prokuroria njoftoi se Gjykata e Vlorës konfiskoi dhe kaloi në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të Pëllumb Petritaj, i akuzuar për “Falsifikimi të dokumenteve” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Konfliskimi përfshin 10 pasuri të paluajtshme, prona fillestare prej 32.000 m2 dhe 9 të tjera që rrjedhin prej saj, vlera totale e të cilave arrin në 16 milionë euro.
Petritaj njihet edhe si përfaqësuesi ligjor në Shqipëri, i Artur Shehut, për të cilin SPAK ka lësuar një urdhër-arrest. Pronat figuronin të regjistruara në favor të shtetasve Kutbi Shehu, Ramis Shehu, Merjeme Shehu dhe familjarëve të tjerë të Artur Shehut.
Petritaj është përballur disa herë me drejtësinë. Në prill të vitit 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi me 3 vite burgim për falsifikimin e dokumenteve me qëllim tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në zonën e Zvërnecit por me pas Apeli e rrezoi denimin. Ndërsa për çështjen e tokës tek “Uji i Ftohte”, Petritaj në 2020 u dënua 5 vite e 4 muaj burgim, për falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Çështja lidhet me një sipërfaqe fillestare prej 32 mijë metrash katrorë tokë bregdetare, të regjistruar në vitin 2009 në emër të tre trashëgimtarëve të familjes Shehu, konkretisht në emer të Ramiz Shehut, babait të Arturit dhe dy familjarëve, Kutbi dhe Merjeme Shehu Kalimi u bë bazuar në një vendim gjyqësor të vitit 1996 që u gjet i falsifikuar.
Sipas organit të akuzës, prona fillestare prej 32 mijë metrash katrorë ishte përfituar përmes përdorimit të një vendimi gjyqësor të falsifikuar dhe më pas ishte ndarë, tjetërsuar dhe kaluar në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurive.
Një nga episodet e dokumentuara lidhet me dhurimin e disa pronave në vitin 2015. Artur Shehu i dhuroi fondacionit italian “Luca dhe Marco Eftimiadi” rreth 3 mijë metra katrorë tokë në zonën e Nartës dhe 590 metra katrorë apartamente në zonën e Ujit të Ftohtë. Kontratat e dhurimit u nënshkruan nga Pëllumb Petritaj, në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të Shehut. Si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, të nënshkruar nga Artur Shehu, fondacioni ra dakord të heqë dorë nga çdo pretendim i ardhshëm ligjor për pasurinë origjinale.
Ndërkohë në qershor 2026, u raportua se SPAK kreu kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Sipas raportimeve mediatike, kontrollet përfshinë edhe banesën e Pëllumb Petritajt, banesa të familjarëve të tij dhe zyrën e një avokati të lidhur me të.
