Aktualitet

Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 mln € prona të përfituara me dokumente false, pronari u dënua me 7 vite burg

Bëhet fjalë për pasuri të një shtetasi me iniciale P.P, i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

zh.ll
Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 mln € prona të përfituara
Prokuroria e Vlorës

VLORË- Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme tek 'Uji i Ftohtë" me vlerë 16 milionë euro, të cilat dyshohen se janë të përfituara me dokumente të falsifikuara. Bëhet fjalë për pasuri të një shtetasi me iniciale P.P, i cili në përfundim të hetimeve është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas njoftimit, nga hetimet rezulton se për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqeje 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, është përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar. Më pas, kjo pronë është ndarë dhe kaluar në emër të disa personave të tjerë. 

Konfliskimi përfshin 10 pasuri të paluajtshme, prona fillestare prej 32.000 m2 dhe 9 të tjera që rrjedhin prej saj, vlera totale e të cilave arrin në 16 milionë euro.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të shtetasit P.P., i akuzuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procesimin penal nr.946/2015, rezultoi se në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, Vlorë u përdor një vendim gjyqësor i falsifikuar. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se pas përfitimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.

Në përfundim të hetimeve shtetasi P.P. u dënua me 7 vite burgim dhe me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjykata vendosi konfiskimin e pasurive të mëposhtme:

-  Pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh. si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:

-  Pasuria e paluajtshme nr.431;

-  Pasuria e paluajtshme nr.404; 

-  Pasuria e paluajtshme nr.311;

-  Pasuria e paluajtshme nr.312;

-  Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263 me sipërfaqe 23.363m2;

-  Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.264 me sipërfaqe 1000 m2;

-  Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.361 me sipërfaqe 7932 m2; 

-  Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m2; dhe

-  Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.108 me sipërfaqe 7637 m2

MOS HUMB