Ligji për tubimet-Korreshi për tubimet, Korreshi: Çnjerëzor, kthim i diktaturës! Berisha: Anulojeni
TIRANË-Akti normativ për tubimet i cili i jep të drejtën e Policisë së Shtetit për të ndaluar ose kufizuar paraprakisht protesta kur ka rrezik të afërt për dhunë dhe parashikon vendosjen e gjobave ndaj protestuesve është kundërshtuar në Kuvend nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi u shpreh se ndryshimet e propozuara rrezikojnë liritë themelore të qytetarëve dhe mund të rikthejnë praktika të diktaturës. Korreshi deklaroi se akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut.
Saimir Korreshi: Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe briskut. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni. E kemi edhe ne briskun me vete. Tha të na hash atë që s’thuhet partisë sonë. Çfarë t’i hash partisë suaj… Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve. Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut.
Edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar antidemokratik dhe në shkelje të së drejtës për të protestuar.
Sali Berisha: U them shqiptarëve se në mënyrë absolute, asnjë prej atyre që ka marrë plumbin në ballë, në gojë, pas veshit, breshëri në trup, iu janë thyer kockat, nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme. Gjykata i ka shpallur të gjitha të paligjshme arrestimet, përveç katër. Do të hysh në histori, anuloje ligjin për tubimet. Studentët e kanë çuar në Kushtetuese këtë çështje. Hiqe nga rendi i ditës dhe të presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të ketë alternativë tjetër. Nuk kanë faj qytetarët që ju mbroni vjedhjet. Fundi juaj është i afërt.
Kuvendi/ Balla: E keni degjeneruar PD-në një fabrikë të prodhimit të molotovëve
TIRANË-Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka mbajtur fjalën në Kuvend, ku ka akuzuar opozitën dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga aktet e dhunshme.
Taulant Balla: I vetmi sekretar i Partisë së Punës në këtë sallë është kryetari i partisë tënde, Sali Berisha, ta mbash me shëndet. Në PS, e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, që është anëtarësimi në BE.
Dhe ju, PD, nëse doni të punoni për këtë projekt historik, jeni të mirëpritur. Puna për të çuar përpara të gjitha reformat. Ende deri më sot PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat tona të përbashkëta, që lidhet me përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Koha është tani për të lënë mbrapa diskutimet pa vlerë, retorikën agresive dhe dhunën. Shqiptarët nuk i merrni dot për budallenj.
Dhunën në këto 35 vite e frymëzon vetëm një njeri dhe ai është sekretari i partisë brenda jush. Distancohuni nga dhuna. E vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Ju kam dëgjuar personalisht teksa sulmonit e ofendonit Policinë e Shtetit.
'Do të shtrenjtojë biletën'-Kuvendi voton sot rritjen e TVSH-së në 21%, vendi pa urbanë për 3 orë
TIRANË-Ndryshe nga ditët e tjera, e gjithë Shqipëria u 'zgjua' pa autobusë dhe furgonë të transportit publik. Shërbimi i transportit publik u ndërpre për 3 orë, duke nisur nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 08:00.
Vendimi u njoftua një ditë më parë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027. Sot në seancën plenare të Kuvendit, është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat shprehen se rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të shtojë kostot e operatorëve dhe do të përkthehet në rritje të çmimit të biletës për qytetarët./ZËRI