Aktualitet

DETAJE-Vrasja e “Papagallit”, 48-vjeçari nga Saranda i dyshuar si ekzekutor, mik me Irakli Davellën

Policia greke thotë se 48-vjeçari ka pasur lidhje me grupe kriminale shqiptare dhe se më herët ishte arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik droge nga Shqipëria dhe Turqia drejt Greqisë.

F.I
DETAJE-Vrasja e “Papagallit”, 48-vjeçari nga Saranda i
Eduart Qendrothanasi dhe Niko Gavanozi

GREQI-Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me vrasjen e 52-vjeçarit shqiptar Niko Gavanozi, i njohur si “Papagalli”, i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Glifadës në Athinë më 11 tetor. Në qendër të hetimeve është një 48-vjeçar nga Saranda, Eduart Qendrothanasi. Policia ka identifikuar Qendrothanasin si njërin prej dy personave që ndodheshin në motoçikletë, ndërsa dyshohet se edhe personi i dytë është shqiptar. 

Policia greke thotë se 48-vjeçari ka pasur lidhje me grupe kriminale shqiptare dhe se më herët ishte arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik droge nga Shqipëria dhe Turqia drejt Greqisë.

"Protothema" ka publikuar pamjet që tregojnë autorët duke udhëtuar me një motoçikletë, para se të kryejnë vrasjen. Ata iu afruan 52-vjeçarit ndërsa edhe ai po udhëtonte me motoçikletën e tij drejt klubit të natës ku punonte si roje sigurie. Pas ekzekutimit, dy personat u drejtuan drejt Kerateas, ku braktisën motoçikletën në oborrin e një banese të izoluar. Aty i priste një 48-vjeçar grek, i cili është arrestuar në zonën e Agrinios, nën dyshimin se i ka ndihmuar autorët të largoheshin.

DETAJE-Vrasja e “Papagallit”, 48-vjeçari nga Saranda i

Gjatë marrjes në pyetje, i arrestuari pranoi se kishte ndihmuar dy personat, por pretendoi se nuk e dinte që ata kishin kryer një vrasje. Ai deklaroi se kishte menduar se motoçikleta që i kishin dorëzuar ishte e vjedhur dhe se autorët i kishin kërkuar ta çmontonte. Sipas tij, ata i kishin lënë edhe dy helmetat, ndërsa njërën prej tyre ia kishte dorëzuar një personi të tretë, identitetin e të cilit pretendoi se nuk e dinte.

E kaluara kriminale e Eduart Qendrothanasit

Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe si Stamatis Qendrothanasi, rezulton i kërkuar nga autoritetet greke edhe për një grabitje me armë të ndodhur në vitin 2013 në Mesenia, ku nga një zyrë e shërbimit postar “ELTA” u morën 130 mijë euro.

Në vitin 2025, Qendrothanasi u dënua me 9 vite e 3 muaj burg për tre grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Në dosjen e tij përfshihen gjithashtu akuza për pjesëmarrje në grup kriminal, grabitje, gjobëvënie, vjedhje, plagosje të rëndë, kërcënime, fyerje dhe falsifikim, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe substancat e ndaluara.

Sipas mediave greke, ai ka qenë mik i ngushtë i Irakli Davellës, një tjetër shtetas nga Saranda, i cili u vra më 15 dhjetor 2024 në Athinë. Në atë atentat mbeti i plagosur edhe 48-vjeçari Etmond Hysa, i njohur me aliasin Edi Lulo.

Emri i Qendrothanasit është lidhur gjithashtu me persona të njohur të botës së krimit në Greqi, si Vasilis Grivas, i njohur si “Bill”, dhe Manoli Karagiani, me nofkën “Karafla”, të cilët janë ekzekutuar vitet e fundit.

MOS HUMB