
ATHINË- Autoritete greke kanë arrestuar dy shqiptarë në lidhje me atentatin e ndodhur më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ku mbeti viktimë Irakli Davellas dhe u plagos 46-vjeçari Edi Lulo alias Etmond Hysa. Sipas mediave greke, shqiptarët e arrestuar janë Jenis Tulja, 44 vjeç nga Tirana dhe Mirjan Guveli 45 vjeç nga Saranda.
Mësohet se dy autorët janë vrasës me pagesë, ndërsa rezultojnë edhe me precedentë të mëparshëm penalë. Jenis Tulja është pronari i një kafeneje në Petroupoli të Athinës, ndërsa është riregjistruar në Greqi edhe si Denis Ruçi. Ndërsa vëllai i tij Fation Tulja është arrestuar në Tiranë në prill të 2024 pasi u kap me armë zjarri pa leje. Po ashtu edhe Mirjan Guveli, rezulton i regjistruar edhe si Mario Guveli. Por, në vendin tonë ende nuk ka informacione nëse ata kanë precedentë penalë.
Si ranë autoritetet greke në gjurmët e tyre?
Sipas mediave fqinje, pas vrasjes ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë 'Renault' të vjedhur, ngjyrë të errët me targa false dhe parkuan në një park në Nea Smyrni. Por, ajo që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte se ata ndryshonin vazhdimisht targat dhe dezinfektonin kabinën e pasagjerëve. Po ashtu, pas vrasjes njëri nga dy të arratestuarit erdhi 5 herë në Shqipëri.
Sipas hetimeve nga autoritetet greke, të dy, si viktima edhe i plagosuri, kanë qenë shënjeshtra e atentatorëve, të cilët hapën zjarr nga makina. Hysa ka qenë dënuar më parë me burg nga autoritetet greke, pasi në vitin 2011 së bashku me dy shqiptarë të tjerë kanë grabitur Dhomën e Avokatëve të Athinës, ku morën një shumë rreth 405 mijë euro. Po ashtu, ai u dënua për grabitjen e një klinike mjekësorë në Pagrati, ku morën pajisje me vlerë 110 mijë euro. Pasi ai përfundoi dënimin në Greqi, u riatdhesua në Shqipëri. 46-vjeçari jetonte në Dubai, por në datë 9 dhjetor ka shkuar në Greqi me identitetin Edi Lulo. Po me këtë identitet të ri, Hysa rezulton i regjistruar në Shqipëri, ku është dhe pronar i një biznesi në qytetin e Durrësit.
Ndërsa Davella ishte një personazh kontrovers, me lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës. Në të treja vende ka shtrirë bizneset dhe zotëron pasuri të patundshme. Ai kishte lidhje të ngushta miqësore me mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018). Emri i tij renditet në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj. /ZËRI