
GREQI- Shënjestra e atentatit të ndodhur në Greqi ku mbeti i vrarë Irakli Davella, dyshohet se ka qenë personi që u plagos, Edi Lulo. Gazetari i Top Channel Artur Bibe, thotë se sipas burimeve nga policia greke, objektiv i atentatit ishte Edi Lulo, 46-vjeç.
46-vjecari, lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz, rezulton se ka dhe një emër të dytë dhe është dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011, ku u mbajtën peng disa avokatë në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe u grabitën 405.000 euro.
Bashkë me këtë ngjarje ai u akuzua edhe për grabitje të tjera dhe u dënua. Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri. Kohët e fundit jetonte në Dubai dhe në datën 9 dhjetor ka ardhur në Greqi me identitetin Edi Lulo. Me këtë identitet rezulton i riregjistruar edhe në Shqipëri, ku rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës.
Gjendja e 46-vjecarit Edi Lulo është e rëndë për shkak të plagëve që ka marrë në kokë e bark.