TIRANË- Qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon kompensimin nga shteti të dëmeve materiale të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve dhe protestave. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, këtë të premte, zbatimi i këtin nuk akti normativ nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, por kërkon të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Në vendim theksohet se shteti mund të kompensojë paraprakisht, në masë të plotë ose të pjesshme, dëmet e pronës së të dëmtuarve persona fizikë, si dhe të personave juridikë me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Më pas, sipas aktit, paratë do u merren personave përgjegjës, përmes një procesi nga Avokatura e Shtetit. Nëse personi që ka shkaktuar dëmin nuk paguan brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit e çon çështjen në gjykatë për të kërkuar rikuperimin e parave.
Po ashtu, sipas aktiit, organizatat ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.
A K T N O R M A T I V PËR KOMPENSIMIN DHE RIKUPERIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NDAJ PRONËS NGA AKTET E DHUNËS GJATË TUBIMEVE
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky akt normativ përcakton rregullat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve në vende publike ose të hapura për publikun, përgjegjësinë civile të personave që kanë shkaktuar këto dëme, si dhe procedurat për rikuperimin e shumave të paguara nga shteti.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij akti normativ është:
a) të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve;
b) të garantojë që barra financiare e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre, nëpërmjet mekanizmave të rikuperimit të shumave të paguara nga shteti.
Zbatimi i këtij akti normativ nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, sipas nenit 47 të Kushtetutës dhe nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe përgjegjësinë e shtetit për dëmet e shkaktuara nga organet e tij, kur ka të tilla, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky akt normativ zbatohet për tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane, përfshirë tubimet me rastin e veprimtarive sportive, kulturore ose festive.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë akt normativ, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Tubim”, i njëjti kuptim i përcaktuar në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, të ndryshuar;
b) “I dëmtuar”, çdo person fizik ose juridik, publik ose privat, të cilit i është shkaktuar dëm pasuror;
c) “Autor i dëmit”, personi që ka kryer drejtpërdrejt aktin e dhunës ose të dëmtimit të pronës, ose personat që e kanë kryer bashkërisht.
Neni 5
Parimi i përgjegjësisë vetjake
1. Askush nuk përgjigjet sipas këtij akti normativ vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.
2. Përgjegjësia sipas këtij akti normativ lind vetëm nga veprimet ose mosveprimet e personit ose të organizatës, ku përfshihen edhe organizimi dhe nxitja e akteve të dhunës, përveç ekzekutimit të këtyre akteve.
3. Ky akt normativ interpretohet e zbatohet në mënyrën që ndërhyn sa më pak në lirinë e tubimit paqësor dhe lirinë e shprehjes.
Neni 6
Kompensimi paraprak nga shteti
1. Në bazë të këtij akti normativ, shteti mund të kompensojë paraprakisht, në masë të plotë ose të pjesshme, dëmet e pronës së të dëmtuarve persona fizikë, si dhe të personave juridikë me aktivitet tregtar nën 14 000,000 lekë në vit, të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.
3. Nëse vendoset kompensimi sipas këtij neni, për dëmet që konstatohen si të kryera nga aktet e dhunës gjatë tubimit, ky kompensim realizohet, pavarësisht faktit nëse është arritur të identifikohet autori i dëmit.
4. I dëmtuari, që pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga autori i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit, që nuk i përfiton sipas këtij akti normativ, ndaj autorit të dëmit.
5. Kriteret, kushtet, procedura, masa e kompensimit dhe organi që vendos për kompensimin përcaktohen rast pas rasti me vendimin e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilit vendoset të ndërmerret nisma e kompensimit për dëmet e shkaktuara gjatë tubimit. Vlerësimi, nëse shteti do të angazhohet për kompensimin sipas këtij neni, kryhet duke marrë në konsideratë gjendjen buxhetore dhe nevojat buxhetore në kohën e dhënë, shkallën e dëmit të shkaktuar gjatë tubimit konkret, si dhe shkallën e pasojave për të dëmtuarit.
Neni 7
Regresi
1. Me kryerjen e pagesës së kompensimit, shteti hyn, në masën e shumës së paguar, në të drejtat e të dëmtuarit kundrejt personave përgjegjës për shkaktimin e dëmit, përfshirë subjektet që përgjigjen solidarisht, sipas nenit 9 të këtij akti normativ.
2. Institucioni që ka kryer kompensimin dhe Policia e Shtetit vendosin në dispozicion të Avokaturës së Shtetit të dhënat e dokumentacionin për kompensimin e dhënë dhe për identifikimin e autorëve të dëmit.
3. Avokatura e Shtetit fton subjektin e identifikuar si përgjegjës për shkaktimin e dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së ftesës dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, të ngrejë padinë e regresit ndaj autorëve të dëmit, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.
Neni 8
Rikuperimi i dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike
1. Pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, sipas këtij akti normativ ose jo, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucione publike, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre. Avokatura e Shtetit ushtron kompetencat e përfaqësimit në përputhje me legjislacionin, që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj.
2. Policia e Shtetit dhe institucionet e dëmtuara i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit të dhënat për identifikimin e autorëve, që kanë shkaktuar dëmet, të dhënat për dëmtimet dhe vlerësimin financiar të tyre, për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike. Avokatura e Shtetit kërkon pagesën vullnetare të dëmit brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni.
3. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për pagesë vullnetare dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit ngre padinë për shpërblimin e dëmit, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.
Neni 9
Përgjegjësia solidare dhe ajo për të miturit
1. Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.
2. Kur subjektet, që kanë shkaktuar dëmin, janë të mitur, ose persona të pazotë për të vepruar, zbatohen parashikimet e neneve 613 dhe 614 të Kodit Civil.
Neni 10
Marrëveshja restauruese
1. Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik.
2. Marrëveshja restauruese lidhet vetëm me pëlqimin e lirë e të shprehur të debitorit dhe përcakton llojin e punës, kohëzgjatjen, mënyrën e vlerësimit të saj dhe kushtet e përmbushjes së detyrimit. Refuzimi i lidhjes së marrëveshjes nuk sjell pasoja të tjera përveç vijimit të procedurave ligjore për kërkimin e detyrimit civil.
3. Për të miturin, marrëveshja lidhet me pëlqimin e prindërve, pasi dëgjohet njësia për mbrojtjen e fëmijës, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimet ligjore për punën e tyre. Puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën e të mos pengojë shkollimin.
4. Vlera e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit. Kur detyrimi solidar shlyhet nga disa debitorë, vlera e përgjithshme e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit.
5. Mënyrat e zbatimit të këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 11
Marrëdhënia me përgjegjësinë e autorëve
1. Ky akt normativ nuk cenon përgjegjësinë e plotë të autorëve të dëmit, sipas Kodit Civil, dhe as të drejtën e të dëmtuarit për shpërblim të plotë prej tyre.
2. Kufizimi i kompensimit shtetëror vetëm për dëmet ndaj pronës nuk cenon të drejtën e personave të dëmtuar për të kërkuar, sipas dispozitave të Kodit Civil, shpërblimin e dëmeve të tjera, përfshirë dëmet jopasurore, nga personat përgjegjës.
3. I dëmtuari nuk mund të marrë në total më shumë se dëmi i shkaktuar.
Neni 12
Rastet kur zhvillohet edhe procedim penal
1. Kur për të njëjtat fakte zhvillohet procedim penal, Avokatura e Shtetit, në rastin kur kërkon regresin, ose shpërblimin e dëmit, mund të ngrejë padinë civile në procesin penal, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.
2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për mosfillimin ose pushimin e procedimit penal, ose për pushimin e çështjes, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë. Vendimet e tjera të pushimit nuk përjashtojnë automatikisht përgjegjësinë civile, e cila përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 13
Përjashtim nga ekzekutimi
Pagesat e asistencës sociale dhe të aftësisë së kufizuar nuk mund të sekuestrohen për detyrimet, sipas këtij akti normativ.
Neni 14
Raportimi
1. Avokatura e Shtetit mban të dhëna për paditë, vendimet dhe shumat e arkëtuara, sipas këtij akti normativ, si dhe për marrëveshjet restauruese.
2. Ministri përgjegjës për drejtësinë i paraqet Kuvendit çdo vit një raport për zbatimin e këtij akti normativ, përfshirë ndikimin e tij në ushtrimin e lirisë së tubimit.
Neni 15
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 5, të nenit 10, të këtij akti normativ. Vendimet e Këshillit të Ministrave, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij akti normativ, miratohen rast pas rasti.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU