TIRANË- Procesi i integrimit europian ishte në fokus të konferencës së përbashkët të kryeministrit Edi Rama me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Rama deklaroi se përgatitja e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE pritet të nisë në vitin 2027, duke shtuar se anëtarësimi nuk ka një datë të caktuar as për vendin tonë dhe nuk ka pasur për askënd.
Kryeministri u shpreh se, sipas Komisioneres Marta Kos, viti 2027 do të jetë viti i Shqipërisë, teksa garantoi se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrat dhe angazhimet e kërkuara në kuadër të procesit të integrimit.
“Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne po ashtu, sepse ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet që të jetë viti i dikujt tjetër. Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi. Jo se na i kërkon ‘zysha’ që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë...Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, por të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum. E dashur Marta, duke qenë se kjo është konferenca jonë e fundit për këtë vit, dua të të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne dhe për rajonin. Uroj që Viti i Ri të jetë më i miri ndër të gjithë vitet për ty, sepse sa më i mirë të jetë Viti i Ri për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.