TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj 4 të të pandehurve për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës. Të pandehur në këtë dosje janë: Vëllezërit Aleksandër, Kristi e Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakraj.
Këtë të premte, GJKKO mori vendimin duke pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e çështjes në gjyq. Sipas vendimit, katër personat akuzohen për veprat penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Vendimi është marrë më 27 nëntor 2026, gjatë seancës paraprake, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me gjyqtar Erjon Bani.
Më 7 tetor të këtij viti, SPAK dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të pandehur për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit.
Si u krye rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës
Hetuesit kanë dokumentuar lëvizjen e automjeteve në qytetin e Burrelit dhe përgjatë aksit Klos–Zenisht, ku, sipas akuzës, personat e përfshirë kanë qenë në kërkim të Renis Dobrës. Pranë zonës së njohur si “Ura e Matit”, viktima është konstatuar duke lëvizur me një automjet Benz. Sipas SPAK, ai është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj.
Rreth orës 21:58, sipas provave të administruara nga SPAK, automjeti Range Rover ka bllokuar rrugën e Benz-it me të cilin lëvizte 23-vjeçari. Në vijim, Dobra është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe është futur në Range Rover nën përdorimin e dhunës. Pas rrëmbimit, tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në të njëjtin drejtim, duke kaluar nga Burreli drejt zonave të Ulzës dhe Shkopetit.
SPAK pretendon se gjatë kësaj faze viktima është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Pas vrasjes, automjeti i Renis Dobrës, bashkë me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës./ZËRI
