Aktualitet

Dhoma e Avokatisë çon në Kushtetuese rregulloren e GJKKO-së, kërkon shfuqizimin e saj

Në kërkesë, Dhoma e Avokatisë kërkon shfuqizimin e rregullores bashkë me anekset e saj dhe aktin miratues, me argumentin se janë tejkaluar kufijtë e kompetencës së tij në nxjerrjen e kësaj rregulloreje.

zh.ll
Dhoma e Avokatisë çon në Kushtetuese rregulloren e
Dhoma e Avokatisë-gjykata kushtetuese

TIRANË- Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e kësaj gjykate.

Kërkesa lidhet me rregulloren e miratuar me vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, të Këshillit të GJKKO-së, e cila, sipas kërkesës, ka hyrë në fuqi më 10 shtator 2026.

Në kërkesë, Dhoma e Avokatisë kërkon shfuqizimin e rregullores bashkë me anekset e saj dhe aktin miratues, me argumentin se janë tejkaluar kufijtë e kompetencës së tij në nxjerrjen e kësaj rregulloreje.

 "Shfuqizimin si të papajtueshëm me nenet 4, 5, 7, 11, 15, 16, 17, 18, 22, 30, 31, 35, 36, 41, 42, 49, 116, 117, 118, 119, 122, 124 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, miratuar me vendimin nr. 49, datë 17.07.2026 të Këshillit të kësaj Gjykate, e cila ka hyrë në fuqi më 10.09.2026, së bashku me anekset e saj dhe aktin miratues, për shkak të tejkalimit të kufijve të kompetencës normative të organit nxjerrës, cenimit të rezervës kushtetuese të ligjit, mosrespektimit të kërkesave kushtetuese për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative, si dhe kufizimit joproporcional të të drejtave dhe garancive kushtetuese të shtjelluara në këtë kërkesë", thuhet në kërkesën e Dhomës së Avokatisë. 

Që prej datës 9 shtator avokatët nisën të bojkotonin seancat gjyqësore dhe për më shumë se një muaj në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk u zhvillua asnjë gjyq. Ndërsa me shumicë votash, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, 23 shtator, u votua vijimi i bojkotit. Ndërsa, më 30 tetor, Dhoma e Avokatisë vendosi të ndërpresë bojkotin e seancave gjyqësore dhe të rikthehen në seancat gjyqësore të hënën.

Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. 

Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI

MOS HUMB