Aktualitet

E rrëmbyen, e vranë dhe e hodhën në liqen, SPAK zbardhe dinamikën si u vra Renis Dobra, 4 autorët dërgohen në gjyq

Lëvizjet e tyre janë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve me qira, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike.

F.I
E rrëmbyen, e vranë dhe e hodhën në liqen, SPAK zbardhe
Renis Dobra dhe 4 autorët

TIRANË-SPAK ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të pandehur për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit. Vëllezërit Aleksandër, Kristi e Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakraj akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

SPAK njofton se vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakraj kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të lokalizuar dhe më pas rrëmbyer 23-vjeçarin, ndërsa lëvizjet e tyre janë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve me qira, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike.

Si u krye rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës

Hetuesit kanë dokumentuar lëvizjen e automjeteve në qytetin e Burrelit dhe përgjatë aksit Klos–Zenisht, ku, sipas akuzës, personat e përfshirë kanë qenë në kërkim të Renis Dobrës. Pranë zonës së njohur si “Ura e Matit”, viktima është konstatuar duke lëvizur me një automjet Benz. Sipas SPAK, ai është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj.

Rreth orës 21:58, sipas provave të administruara nga SPAK, automjeti Range Rover ka bllokuar rrugën e Benz-it me të cilin lëvizte 23-vjeçari. Në vijim, Dobra është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe është futur në Range Rover nën përdorimin e dhunës. Pas rrëmbimit, tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në të njëjtin drejtim, duke kaluar nga Burreli drejt zonave të Ulzës dhe Shkopetit. 

SPAK pretendon se gjatë kësaj faze viktima është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Pas vrasjes, automjeti i Renis Dobrës, bashkë me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.181 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:

Fation Bushgjokaj
Petrit Hoxha (Çakraj),
Kristë Bushgjokaj
Aleksandër Bushgjokaj

Të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

Procedimi është regjistruar për faktin penal të datës 8.7.2025, ku, sipas rezultateve të hetimit, Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.

Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D. është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj. Këta provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, Range Rover.

Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas rezultateve të hetimit, R.D. është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin Range Rover.

Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit R.D. nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.

Sipas hetimit, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.

Nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit R.D ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

Poll

MOS HUMB