
TIRANË- Dosja e vrasjes së Roan Brahimit, alias Sidorel Prendi (Sidi) është rihapur nga Policia greke. I riu nga Lezha sapo kishte mbërritur nga Dubai në Athinë, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda makinës së tij. Sipas "TopChannel", Policia greke po bën lidhjet mes vrasjes së Brahimit dhe atentatit të të dielës në Athinë, ku u mbeti i plagosur 46-vjeçari Edi Lulo alias Etmond Hysa. Edhe ky i fundit jeton po ashtu në Dubai, dhe në 9 dhjetor kishte ardhur në Greqi pas një fluturimi nga Duseldorfi i Gjermanisë.
Dyshohet se vrasjet mund të kenë lidhje me një sagë hakmarrje të nisur nga Shqipëria, por është ende e paqartë zanafilla e përplasjes.
Policia ka identifikuar edhe një prej dy personave të tjerë që ndodhej në kafe me Irakli Davellën, i cili mbeti i vrarë, dhe Edi Lulon. Me ta ishte një tjetër shqiptar, i cili njihet në Greqi me pseudonimin “Pigmakos” që në shqip përkthehet “Boksieri”, por emri i tij nuk është zbuluar ende. Por dihet se ka precedentë penalë në vendin fqinjë për gjobvënie dhe vjedhje, ndërkohë që dyshohet se ka mbetur i plagosur lehtë në ngjarje. Kështu që Policia greke është vënë në kërkim të tij për ta marrë në pyetje për t'i marrë dëshminë. Nga dëshmia e tij pritet të zbulohet më shumë për ngjarjen, por i riu është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, Etmond Hysa aktualisht ndodhet në spitalin Kat të Athinës, ku është ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka marrë dy plumbam një në kokë, një në këmbë. Gjatë kohës që ai jetonte në Greqi, ai rezulton se ka qenë i dënuar në Greqi dhe madje ka bërë burg për një ngjarje të ndodhur në vitin 2011, ku bashkë me dy shqiptarë të tjerë, grabitën "Dhomën e Avokatëve të Athinës" dhe nën kërcënimin e armëve morën 404.493 euro. Pasi kreu burgun, Hysa u riatdhesua në Shqipëri. Por së fundmi ishtë zhvendosur në Dubai, me një identitet të ri, tashmë si Edi Lulo. Me këtë identitet rezulton i regjistruar edhe në Shqipëri, ku rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës. Edhe pse nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht, dyshohet se Hysa është vrasës me pagesë dhe se ai ishte objektivi i sulmit. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që autorët t'i kenë shënjestruar të dy, edhe viktimën, Irakli Davella. Kjo pasi të dy ishin në distancë dhe kur është hapur zjarr dhe autorët duket se kanë qëlluar ndaj të dyve.
Irakli Davella ka qenë gjithashtu i përfshirë në botën e krimit dhe ishte dënuar me 14 vite burg, të pezulluara më pas me kusht, për gjobëvënie në emër të një grupi kriminal greko-shqiptar. 3 prej pjestarëve të grupit të atëhershëm, rezultojnë të vrarë në 7 vitet e fundit, e të tjerë janë të arrestuar, ose të shpallur në kërkim.
"Emri i tij rezulton i përfshirë dhe në një skemë mashtrimi me ceqe të këqija në vitin 2011 në Korfuz, ku personazh kryesor ishte një ish i dënuar për trafik droge nga Saranda, aktualisht biznesmen, ndërkohë që në hetim dolën edhe emra politikanësh lokalë në Korfuz si dhe oficerë policie. Davella në fakt prej vitesh nuk i ka shqetësuar organet ligjzbatuese greke, por ka ruajtur gjithsesi marrëdhënie me elementë kriminalë, përfshirë këtu një kontakt me një tjetër mafioz grek të ekzekutuar në vitin 2022, apo me personazhe të përfshirë në kontrabandën e karburanteve apo në tregëtinë e makinave. Policia greke i ka zbuluar Davellës edhe lidhjen miqësore me një politikane greke, ndërkohë që ai rezulton se ka qenë anëtar i këshillave drejtuese të dhomave të tregëtisë si dhe ka një kompani e cila merret me mbështetje teknike të aktiviteteve, përfshirë dhe ato elektorale të kandidatëve për deputetë,"-shkruan Top Channel.
Shumë pista janë "të hapura" për këtë ngjarje, por duket se edhe njëherë, rrugët të sjellin në Shqipëri dhe në Dubai./ZËRI