Aktualitet

Vrasja e Martin Canit, Gjykata e Apelit lë në "burg” të miturin, prindërit e viktimës letër Ambasadës së SHBA: Të zbardhet ngjarja!

Në seancën e sotme, gjatë diskutimeve në sallë, ai ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë duke u shprehur se ka frikë edhe për gjendjen e tij shëndetësore.

k.m.
Vrasja e Martin Canit, Gjykata e Apelit lë në "burg”
Martin Cani

TIRANË- I dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, Mario Përlleshi është lënë në institucionin e vuajtjes së dënimit për të miturit në Kavajës, pavarësisht se ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Në seancën e sotme, gjatë diskutimeve në sallë, ai ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë duke u shprehur se ka frikë edhe për gjendjen e tij shëndetësore. Po ashtu, avokati i të miturit ka kërkuar masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit ne burg me argumentin se klienti i tij e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes. Por ndryshe nga pala mbrojtëse, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sërish "arrest me burg" për të miturin deri në përfundimin e hetimeve. 

Kështu, sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë e la të miturin në 'arrest me burg' pasi akuzohet për 'vrasje e kryer në rrethana cilësuese", të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal.

VENDIMI I GJYKATËS SË APELIT:

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të “arrestimit në flagrancë” dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj te miturit ne konflikt me ligjin shtetasin “….”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr….. datë 22.11.2024, ka vendosur: -Vlerësimin si të ligjshëm të “arrestimit në flagrancë” ndaj shtetasit të mitur në konflikt me ligjin “….”; -Caktimin e mases së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit të mitur ne konflikt me ligjin “….”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilesuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal; -Ngarkohet Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi; -Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshem. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga i mituri në konflikt me ligjin shtetasin me iniciale “…”. Në përfundim të gjykimit, sot më datë 17.12.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi: – Miratimin e vendimit nr…., datë 22.11.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Paralelisht, prindërit e Martinit të ndjerë, Angel dhe Florina Cani i kanë dërguar një letër Ambasadës Amerikane në Shqipëri, ku kërkojnë ndihmë pasi sipas tyre procesi gjyqësor po manipulohet për të shpëtuar autorinb. Sipas tyre, ngjarja nuk po zbardhet qëllimisht vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët.

"Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh. Kam besim të Ju,"-shkruajnë prindërit e Martin Canit ndër të tjera.

Letra e plotë:

Meqë po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjeçar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurt në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar. Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që na shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllanë e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe. E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët janë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit. Zonja Nancy! Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.

Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit. Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh. Kam besim të Ju.

Me respekt e dhimbje në Shpirt

Angel e Florina Cani

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB