
TIRANË- Katër persona janë arrestuar nga Policia, pasi shpërndanin drogë ektazi. Në pranga të Policisë kanë rënë Ergis Noka, Drin Vjerdha, Kristofor Pandelejmoni dhe Mario Çerra. Një nga të arrestuarit, Ergis Noka, është djali i drejtorit të portalit "Publik.al". Menjëherë pas arrestimit të djalit të tij, reagoi edhe drejtori i portalit “Publik.al”, Naim Noka. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka, ka shkruar se djali i tij nuk ka shitur ose përdorur lëndë narkotike, por ishte në shoqërinë e shokëve të tij në momentin e arrestimit.
Sipas Policisë, kontrollet u kryen tek dyqani, i cili ishte në pronësi të Ergis Nokës, ku dhe u sekuestruan 300 tableta narkotike e llojit ekstazi (MDMA). Gjithashtu u sekuestruan disa pajisje elektrike, të cilat përdoreshin për kultivimin e lëndës narkotike kanabis.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Drug party".
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. N., 18 vjeç, D. V., 18 vjeç, K. P., 19 vjeç, dhe M. Ç., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në rrugën "Pjetër Bogdani", shtetasit e larpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 300 tableta të dyshuara narkotike e llojit ekstazi (MDMA).
Gjithashtu gjatë kontrollit të dyqanit të shtetasit E. N., në rrugën "Pjetër Bogdani", u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoren për kultivimin të lëndës narkotike kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia. /ZËRI