
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave. Por, kërkesa e SPAK është pritur me kundërshtime nga të pandehurit e tjerë, të cilët janë shprehur se ata kërkojnë transparencë gjatë seancave gjyqësore.
“Dua që fjala ime të jetë transparente dhe seanca të zhvillohet me dyer të hapura. Kërkoj që media te jetë prezente në sallë”, u shpreh i pandehuri Petrit Çoli.
Avokatët e të pandehurve argumentojnë se media është arbitri i dytë në këtë sallë gjykimi, pasi nuk ka shkaqe të ligjshme për të mbyllur dyert e gjykatës, kur Dumani ka dhënë më shume se gjysmën e dëshmisë.
“Media është arbitri i dytë në këtë sallë gjykimi, pasi nuk ka shkaqe të ligjshme për të mbyllur dyert e gjykatës, kur i penduari i drejtësisë, ka dhënë më shumë se gjysmën e dëshmisë”, shprehen avokatët.
Pas miratimit të kërkesës së SPAK nga GJKKO, të pandehurit si shenjë proteste kanë braktisur sallën.
Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. /ZËRI