
BRUKSEL- Sot do të mbahet në Bruksel Konferenca e Tretë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian për hapjen e grupkapitullit të 6 të negociatave. Në këtë grupkapitull përfshihen “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Politika e Jashtme e sigurisë, dhe e mbrojtjes”.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion i përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të 6-të.
Rama tha para fillimit të konferencës se kjo është një ditë e mirë për vendin, dhe një hap i rëndësishëm pranë BE-së.
“Marshi ynë vazhdon! Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm dhe për të hapur një grupkapitull të ri, i cili është shumë, shumë i rëndësishëm për planin tonë, sepse është një hap që po bëhet sipas planit. Dhe po, duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grupkapituj, shpresojmë në pranverë, dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grupkapitujt e hapur. Është me të vërtetë një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë ne!”- tha Rama.
Kjo është konferenca e tretë ndërqeveritare që do të mbahet sot në Bruksel, ndërsa më 15 tetor u mbajt ajo e dyta, ku vendi ynë hapi pesë kapitujt e anëtarësimit që përfshinin Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësinë, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar. Ndërsa nesër do të mbahet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. /ZËRI