
TIRANË-Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, i cili u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz në Athinë, dyshohet të jetë i përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhur në Shqipëri.
Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin e përgjakshëm ku u vranë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Roan Brahimi është gjithashtu një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në antetatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku u vra Klisman Preçi. Shkak për atentatin ndaj Ylli Brahimit u bë mosshlyerja e disa borxheve të bixhozit. Gjithçka lindi pasi Ylli e dërgoi Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar, ku mendohet se Roan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare. Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Ibrahimin me fjalët: Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë! Roan Brahimi ishte shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës ku u futën të armatosur me kallashnikov. Por çarë deklaronte vetë Roan Brahimi për atentatet e ndodhura asakohe?
Brahimi asakohe u shpreh se prej kohësh jetonte jashtë vendit dhe do të jepte shpjegime kur të kthehej në Shqipëri, thuhet në dokumentarin ‘Në Shënjestër’. Por Brahimi nuk arriti të shkelte tokën shqiptare dhe një shpjegim nga ana e tij nuk u dha kurrë.
“Reagon Roan Brahimi. Që sipas të gjithë dokumentacionit dhe dosjes hetimore që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’, rezulton që babai i tij është marrë në pyetje, është kontrolluar banesa, është shpallur në kërkim policor për ngjarjen. Megjithatë i pyetur nga emisioni ‘Në Shënjestër’ nëse ka dhënë shpjegime në polici, Roan Brahimi në lidhje me atentatin e Milotit por edhe te Mbikalimi i Fushë-Krujës, Roan Brahimi përgjigjet se unë kam vite që jetoj jashtë, dhe do të jap shpjegime kur të vij në Shqipëri. S’kam asnjë arsye të nxitoj për t’i shërbyer kazanit mediatik”, thoshte Brahimi në emisionin ‘Në Shënjestër’ më 14 janar 2022.
“Më 17 Korrik 2022, Roan Brahimi vrau Brilant Martinaj, kushëririn e Ervis Martinaj. Ndërsa natën e 22 Korrikut 2022, ai qëlloi në qytetin e Milotit, ndaj Ylli Brahjas dhe Klisman Preçit, teksa Brahja po dilte nga Xhip-i i tij i blinduar, ku u derdhën 108 plumba. Në këtë ngjarje humbi jetën 28-vjeçari Preçi, ndërsa shoku i tij pasagjeri Ylli Brahja shpëtoi, pasi u kyç në makinën e blinduar ‘Toyota’ Land Cruise”, shkruajnë mediat greke.
Por ashtu siç ishte një personazh kontrovers për policinë dhe median shqiptare, kështu duket se Roan Brahimi konsiderohej edhe në vendin fqinj në Greqi. Ku jetonte prej vitesh, para se të lëvizte më tej në disa vende të ndryshme të Evropës, si në Francë, Spanjë dhe së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Në çdo gur të krimit që të ngrije në shtetin fqinj, gjithmonë aty poshtë do të gjeje 32-vjeçarin Roan Brahimi. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai së fundmi kishte gjetur strehë në mikpritjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, aty nga ku drejtonte shfarosjen e kundërshtarëve të tij. Mbretëria e xhelatëve shqiptarë shtrihet e ‘punësuar’ në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e tokës. Janarin e kaluar ata arritën që në Bagdad, të vrisnin në mes të rrugës trafikantin më të madh irakian të kokainës. Atë të cilit DEA amerikane i kishte vënë pseudonimin ‘Benzema’, për ngjashmërinë e tij me futbollistin e famshëm francez!”, shkruajnë mediat greke, thuhet në dokumentar.
Sidorel Prendi ose i njohur edhe me emrin e tij të ri, Roan Brahimi u ekzekutua në sy të gruas së tij, Katerina Beqo 37 vjeç, dhe djalit të mitur, i cili ishte duke luajtur në parkun afër vendit të ngjarjes. Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, por ka lëvizur edhe në vende të tjera, më konkretisht në Spanjë, Itali dhe Francë. Por ka pasur dyshime edhe se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi. Atje e gjetën me vigjilencën e ulët dhe e ekzekutuan. Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët./ZËRI