
KORÇË- Një 45-vjeçar është arrestuar në Devoll, pasi ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçar. Raportohet se ka qenë i mituri që e ka denoncuar rastin në Polici, ku sipas tij 45-vjeçari me inicialet A.A ka tentuar të kryej marrëdhënie me të. I mituri ka rrëfyer se ai nuk e njihte 45-vjeçarin, por ai i ka kërkuar shpesh që të shkojnë në vende të ndryshme kundrejt pagesës, pavarësisht se e ka refuzuar. Më tej, ai shton se në një moment, kur ata kanë shkuar në disa ara 45-vjeçari ka tentuar ta zhveshë.
“Nuk e njihja, pastaj kur vinte herë pas here e njoha. Tre herë jam takuar. Më ka thënë hajde me mua, do të jap lekë, do të çoj këtu, do të çoj atje. I thashë jo se unë dal me shokët, s’kam nevojë. Pastaj shkuam në këmbë nga xhadeja e në ca qershi, më tha ulu pak te bari. Tentoi të më hiqte tutat”, rrëfen i 15-vjeçari.
Nëna e tij ka kërkuar që të vendoset drejtësi, ndërsa shprehet se djali i saj është i tronditur nga kjo situatë e rëndë. Ajo tha se 45-vjeçari e ka mashtruar djalin e saj dhe ka tentuar të abuzojë me të seksualisht.
“Unë punoj në rrobaqepësi, kam 17 vjet atje. Burri ka 5 vjet që më ka vdekur. Jetoj me tre fëmijët tim të mitur në shtëpi dhe kur kam ardhur ka qenë ora 18:30 e darkës dhe e pashë djalin të trembur. I thashë çfarë ke? Ai ishte i shoqëruar me një shokun e tij. Dhe ai i tha tregoji mamit pse je trembur. Në lokalin e fshatit Poloskë, atje ka qenë një zotëri nga fshati Kuç dhe ma ka gënjyer djalin. Ka trokitur në xhamin e dritares së lokalit dhe i ka thënë me dorë, dil pak jashtë.
E ka marrë djalin, ma ka mashtruar, ma ka gënjyer dhe kanë ikur më këmbë të dy. Ma ka shpënë në ca qershi të fshatit Poloskë, poshtë varrezave dhe atje me fëmijën tim vetëm 15 vjeç, i mitur, mundohej të bënte marrëdhënie seksuale me djalin tim. Djali kishte në xhepin e xhupit një pineskë që ngulet, ia ka shpuar duart personit dhe u largua me vrap. Ai e ka ndjekur 10 metër dhe fëmija ikte i trembur dhe shikonte mos vinte ta kapte prapë.
Kur erdhi në shtëpi ishte i trembur. Sot e kisha në spital në Korçë, për analiza dhe e kam të trembur jashtë mase nga ai person. I lutem shtetit që të marrë masa rreptësisht për atë person dhe të tjerë që merren me fëmijë të mitur në këto mënyra, që i gënjejnë se do t’i japin lekë e që duan marrëdhënie seksuale. I lutem shtetit e policisë që për atë person të marrë masa se dua vetëm drejtësi për djalin tim. Këto ishin tre rastet e para që ai e gënjente që do t’i jepte lek dhe unë s’po ia vija veshin se isha e lodhur nga puna. Dua vetëm drejtësi se burri më ka vdekur dhe fëmijën tim s’dua të përdorë ai kriminel”, rrëfen nëna e të miturit.
Mësohet se 45-vjeçari është babai i tre fëmijëve, ndërsa në momentin kur efektivët kanë shkuar në banesën e tij, nuk ndodhej aty. Por, mbrëmjen e djeshme, ai është vetëdorëzuar në komisariatin e Devollit dhe Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale ngacmim seksual. /ZËRI