TIRANË-Ndryshe nga ditët e tjera, e gjithë Shqipëria u 'zgjua' pa autobusë dhe furgonë të transportit publik. Shërbimi i transportit publik u ndërpre për 3 orë, duke nisur nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 08:00.
Vendimi u njoftua një ditë më parë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027. Sot në seancën plenare të Kuvendit, është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat shprehen se rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të shtojë kostot e operatorëve dhe do të përkthehet në rritje të çmimit të biletës për qytetarët./ZËRI
