ELBASAN- Elbasani ka përkujtuar këtë 25 nëntor 114-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së qytetit nga administrimi osman një ngjarje historike e udhëhequr nga Aqif Pashë Elbasani.
Përvjetori është shënuar me ceremoni festive dhe homazhe ku morën pjesë qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, kryetari i Bashkisë dhe prefekti i qarkut.
Momenti kryesor i ceremonisë ishte vendosja e kurorave me lule pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit në nderim të figurës që udhëhoqi patriotët elbasanas në këtë moment të rëndësishëm historik.
Më 25 nëntor 1912 patriotët e Elbasanit shpallën shkëputjen nga administrimi osman, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor.
Kjo datë përkujtohet çdo vit si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së qytetit dhe të kontributit të patriotëve elbasanas në rrugëtimin drejt shtetit të pavarur shqiptar./ZËRI