60-vjeçarin shqiptar Sabri Sopoti i dënuar me 24 vite burgim në Shqipëri për vrasje, nuk do të ekstradohet nga Britania e Madhe pasi autoritetet shqiptare kanë tërhequr kërkesën për dorëzimin e tij. Vendimi vjen pas 27 vitesh në arrati, gjatë të cilave ai ka jetuar në Britani me identitet të rremë.
Sipas mediave të huaja, Sopoti kishte përdorur emrin Zenel Bytyqi, duke u paraqitur si refugjat nga Kosova dhe duke përfituar azil në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte dënuar në Shqipëri për vrasjen e një personi në një lokal në veri të vendit më 24 dhjetor 1999.
Identiteti i tij i vërtetë u zbulua pas përfshirjes në një çështje penale në Britani, që lidhej me kontrabandën e alkoolit dhe shmangien e taksave. Pas arrestimit në korrik autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin e tij, por më pas tërhoqën urdhër-arrestin ndërkombëtar me argumentin se kishte kaluar një periudhë tepër e gjatë nga kryerja e krimit dhe se dënimi fillestar nuk mund të ekzekutohej më.
Gjatë një seance në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, procedura e ekstradimit u pushua. Megjithatë Sopoti nuk do të lirohet menjëherë pasi po vuan një dënim prej 37 muajsh burgim për kontrabandë alkooli. Ai pritet të qëndrojë në burg deri në shkurt të vitit 2027./ZËRI