Aktualitet

Stuhi dhe reshje intensive në vend, IGJEO paralajmëron për përmbytje dhe rrëshqitje dherash

Reshje intensive parashikohen edhe në Kukës, Dibër dhe Lezhë ndërsa Durrësi, Tirana, Vlora dhe Gjirokastra do të përballen gjithashtu me reshje intensive.

M.K.
Stuhi dhe reshje intensive në vend, IGJEO paralajmëron për
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Moti i keq pritet të përfshijë një pjesë të madhe të Shqipërisë gjatë ditës së nesërme me reshje intensive deri në shumë intensive shiu dhe shtrëngata, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave, i cili kërkon kujdes të shtuar në disa qarqe të vendit.

Sipas parashikimit, situata më shqetësuese paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku priten reshje shumë intensive. Reshje intensive parashikohen edhe në Kukës, Dibër dhe Lezhë ndërsa Durrësi, Tirana, Vlora dhe Gjirokastra do të përballen gjithashtu me reshje intensive.

Rreziku më i madh lidhet me vërshimet e shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitjet e dherave në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Përmbytje të lokalizuara mund të ketë edhe në zonat urbane, veçanërisht aty ku sistemet e kanalizimeve nuk përballojnë prurjet e ujit.

Intensifikimi i reshjeve pritet të shoqërohet edhe me rritje të prurjeve në lumenjtë Drin- Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Sa i përket temperaturave, ato do të luhaten nga 11 deri në 18 gradë Celsius në zonat bregdetare dhe të ulëta, ndërsa në zonat malore nga 3 deri në 13 gradë. Era do të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit, por përgjatë bregdetit pritet të jetë e fortë deri shumë e fortë./ZËRI

MOS HUMB