Aktualitet

Vrasja e Santiago Malkos! GJKKO e shpalli të pafajshëm, Apeli dënon me 28 vite burg Erlis Dukën

Në janar të këtij viti GJKKO dënoi me 30 vite burg Leonard Dukën, ndërsa shpalli të pafajshëm vëllanë e tij, Erlis Duka.

F.I
Vrasja e Santiago Malkos! GJKKO e shpalli të pafajshëm, Apeli
Erlis Duka dhe Santiago Malko

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 28 vite burg Erlis Dukën, i cili në shkallën e parë ishte shpallur i pafajshëm për çështjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko.

Në janar të këtij viti Gjykata e Posaçme dha dënimin me 130 vite burg për të akuzuarit e vrasjes së Santiago Malkos. GJKKO dënoi me 30 vite burg Leonard Dukën, ndërsa shpalli të pafajshëm vëllanë e tij, Erlis Duka. Prokuroria kundërshtoi vendimin e pafajësisë për Erlis Dukën, lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko. 

Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë, Apeli ka lënë në fuqi dënimet e dhëna më herët. Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg, ndërsa Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga janë dënuar me nga 25 vite burg secili.

Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Sipas hetimeve të SPAK vrasja e ish-policit u planifikua nga Leonard Duka, vëllai i tij Erlis Duka dhe një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica dhe Bledar Teta. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.

Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë)./ZËRI

MOS HUMB