TIRANË-Janë zbardhur detaje nga takimi i ndodhur një ditë më parë, i Ambasadorit amerikan në Shqipëri me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Eric Wendt, u dha një mesazh të qartë dhe të prerë drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho, dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”-u shpreh Wendt, sa i përket hetimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Wendt nënvizoi se puna e përbashkët sjell përfitime të ndërsjella për të dy vendet, duke forcuar partneritetin në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Ambasadori tha se rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Europës e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që furnizojnë edhe tregun amerikan. Për këtë arsye, theksoi ai, goditja e këtyre rrjeteve në Shqipëri ka rëndësi edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
“Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari që ngrini dhe çdo drejtues të krimit të organizuar që nxirrni para drejtësisë u heq karteleve para dhe pushtet.”-mësohet të ketë deklaruar ambasadori amerikan.
Në fjalimin e zbardhur sot nga ambasada, shpjegohet se përse çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit që heton SPAK kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Wendt është ndalur edhe tek mënyra si vepron krimi i organizuar, ku në fjalën e tij shprehet se "trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të koduara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetet në portofolet kripto dhe llogaritë jashtë vendit. Pastruesi i parave lëviz fondet përtej kufijve brenda sekondash."
Fjala e plotë e ambasadorit amerikan Eric Wendt:
Kryeprokurori i Posaçëm Braho, Drejtor Keta, gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të shquar. Sot, shumë krime të rënda lënë një gjurmë dixhitale. Kjo përfshin rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit që trajtoni në SPAK.
Këto raste kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energji, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim se kontratat respektohen, tenderët janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligj. Thjesht zbatoni ligjin në mënyrë të barabartë.
Kur një tender manipulohet ose praktikat ligjore ose të biznesit janë të korruptuara, kushtet e lojës nuk janë të barabarta dhe ofertuesi amerikan largohet. Dhe kur ky investitor largohet, Shqipëria humbet vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike. Rastet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi sepse rrjetet që transportojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar shumë nga këto grupe si organizata terroriste të huaja.
Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari që ngrini dhe çdo bos krimi që sillni para drejtësisë u merr paratë dhe pushtetin karteleve. Dhe çdo rrjet që ju çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt – Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Zbatimi i ligjit amerikan do të vazhdojë të luftojë rrjetet – por veprimet e shqiptarëve nënkuptojnë se ata nuk duhet të luftojnë vetëm.
Paratë kriminale nuk ndalen në kufij. Ato lëvizin përmes bankave, bursave të kriptomonedhave dhe kompanive fiktive, dhe shpesh arrijnë në sistemin financiar amerikan. Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të koduara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetet në portofolet kripto dhe llogaritë jashtë vendit. Pastruesi i parave lëviz fondet përtej kufijve brenda sekondash.
Kriminelët janë bërë dixhitalë. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh zhvillohen përmes provave dixhitale.
Tani, sfida praktike. Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në servera në Shtetet e Bashkuara: email-e, llogari në mediat sociale dhe ruajtje në cloud të mbajtura nga kompani amerikane.
Mund t’i merrni ato prova. Por duhet të dini rregullat: çfarë të ruani, çfarë të kërkoni, si të kërkoni dhe si të veproni shpejt.
Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një rast që përndryshe do të dështonte vitin tjetër.
Taylor Phillips, një ekspert i Departamentit të Drejtësisë për hakimin kompjuterik dhe krimet e pronësisë intelektuale, do t’ju udhëheqë nëpër këtë proces hap pas hapi.
Dua të flas drejtpërdrejt me secilin grup në këtë dhomë. Për hetuesit: Ju jeni hallka e parë në zinxhir. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat dixhitale përcakton nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.
Për prokurorët: Ju i ktheni të dhënat në një histori që një gjykatë mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë IP, një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.
Për gjyqtarët: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë apo në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë të testoni provat dixhitale me rigorozitet, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni ato me besim. Tre role. Një zinxhir. Ju lutem shfrytëzojeni sa më shumë këtë seminar. Sillni pyetjet tuaja më të vështira. Këtu trajnimi shndërrohet në rezultate.
Fillova duke thënë se shumë krime të rënda lënë një gjurmë dixhitale. Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, përmes aplikacioneve të koduara dhe në portofolet kripto.
Kjo punëtori ka për qëllim t’u vërtetojë atyre se e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm në prova dhe ligj – kurrë në pozicionin, lidhjet apo staturën e një personi – agjencitë tuaja janë apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë pranë jush.
/ZËRI