Aktualitet

Përplasja mes motrave Nikolli dhe Dumanit, vdes në spital pas 3 muajsh Enea Themollari, viktima e pafajshme e tritolit

I riu ndodhej në gjendje të rëndë, prej afro 3 muajsh, teksa mbahej në reanimacionin e spitalit të Traumës në Tiranë

E.K
Përplasja mes motrave Nikolli dhe Dumanit, vdes në spital pas 3 muajsh
Motrat nikolli dhe nuredin dumani

TIRANË- Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, Enea Themollari, fqinji i motrave Alda dhe Xhovana Nikolli, i cili mbeti i plagosur pas shpërthimit me tritol rreth 3 muaj më parë, në Elbasan. 

Tritoli u vendos në korridorin e katit të 4-t të pallatit në derën e hyrjes në pronësi të një 59-vjeçari, ku jetonin me qira motrat Nikolli, të cilat akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit.

Fqinjët e përshkruajnë 26-vjeçarin si “një djalë i mirë dhe që ndihmonte familjen e tij”.

“Shumë e dhimbshme. Të jetë tjetri në shtëpinë e vet dhe të gjejë vdekjen… Ka vuajtur 2-3 muaj në gjendje kome. S’e gjetën autorin, ato dy femrat ku ikën? Ato ikën në Turqi, nuk jetojnë më këtu”, tha një nga fqinjët.

“S’e besonim që do ndodhte kjo gjë. Çun babaxhan nga të gjitha anët. Ai e mbante shtëpinë, njëri pa fjalë. Të jesh në shtëpinë tënde të ndodhi kjo… katastrofë. S’ka më keq. Autori nuk është kapur akoma, ja shteti jonë”, tha fqinji.

“Mjerë ai që e pëson, nga i keqi e pëson i miri. Keq na vjen shumë, djalë i ri. Mjerë nëna dhe baba”, u shpreh një tjetër.

“Në prek shumë si ngjarje, çfarë të thuash. M’u mpi trupi”, thotë një nga fqinjët. 

Por fatkeqësisht dëmtimet më të mëdha u shkaktuan në banesën e familjes Themollari, duke e lënë të riun të plagosur rëndë.

Enea Themollari, 26 vjeç, që prej datës 14 korrik ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë.

Giovanna dhe motra e saj, Alda jetonin së bashku në banesën në Elbasan ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e 14 korrikut. Pas ngjarjes ato hodhën akuza në drejtim të Nuredin Dumanit, por edhe Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tyre i penduari i drejtësisë ka trajtim preferencial në ambientet e burgut, dhe merr vendime dhe për të dënuarit e tjerë.

Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, Amarildo Xhanej, ndërsa u shfaqën dhe pamjet, ku vrasësi me pagesë, tashmë i penduar, komunikonte lirisht nga ambientet e burgut. Pas denoncimit të Nikollit, 2 punonjës të policisë së burgjeve u pezulluan nga detyra.

Hetimet për shpërthimin me tritol, janë marrë përsipër nga Prokuroria e Posaçme, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen, edhe pse fillimisht u pretendua se policia kishte identifikuar autorin e ngjarjes. /ZËRI

Poll

MOS HUMB