
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur pas ngjarjes në Elbasan, lidhur me tritolin që iu vendos banesës që Xhovana Nikolli kishte marrë me qera, bashkë me të motrën e saj, Alda Nikolli. Kjo e fundit është e bindur se pas këtij krimi fshihet Nuredin Dumani. Në një intervistë për Top Channel, Alda Nikolli tregon se me të penduarin e drejtësisë kishte krijuar një marrëdhënie prej 2 muajsh, krisja e të cilës pasoi me kërcënime.
Ajo ka treguar se është njohur me Dumanin nga kunati i saj Amarildo Nikolli dhe nuk ishte në djeni se ai kishte një të dashur jashtë. Nikolli tregon se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.
“Neve na vendosën një tritol në shtëpi, kjo erdhi si pasojë e një videoje, mendoj dhe dyshoj unë. Gjithashtu edhe një kërcënim që ne kemi marrë dy ditë përpara shpërthimit. Unë nuk di të kem pasur ndonjëherë probleme me njeri. Edhe nga ju është verifikuar që unë nuk kam pasur probleme. I vetmi kërcënim që unë kam marrë është i Nuredin Dumanit. Nuredin Dumanin unë e kam njohur nëpërmjet Amarildo Xhanej, kunatit tim, dhe ndodhet aktualisht në burgun 313. Ndodhen në një godinë. Jemi njoftuar nëpërmjet skype-it, kemi lidhur kontaktet e kemi vazhduar të flasim. Kemi folur 24/24. I lejohej atij. Nuredini është drejtor i burgut, jo i burgosur, se di kush e thotë. Mendova që donte të njihej, por paska pasur qëllim për të më përdorur, si mua dhe si motrën time Xhovanën. Atëherë qëllimi i Dumanit ishte që t’i hiqte statusin Amarildos, të pushonte nga puna prokuroren edhe të lante haqet me hasmin nëpërmjet meje. Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313. Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Xhovanën. Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin. Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi. Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë.”, tregon ajo.
Sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal. Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë. Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tha ajo.


Çfarë ndodhi në banesën e dy motrave
Një shpërthim me tritol tronditi Elbasanin pak ditë më parë. Ngjarja ishte paralajmërim për Xhovana Nikollin, të dashurën e Amarildo Nikollit, një i arrestuar me armë zjarri dhe i përfshirë në ngjarje kriminale, por i plagosur ka mbetur një 26-vjeçar, i cili u lëndua nga shpërthimi pasi jetonte në banesën përballë asaj të Nikollit. Gjithçka ka ndodhur, pasi Xhovana Nikolli publikoi një video disa ditë më parë, ku përmendte Nuredin Dumanin dhe i bënte thirrje që të ‘përmbante’ të dashurën e tij, në të kundërt do të kishte probleme të mëdha me të. Po ashtu, raportohet se edhe brenda "313" një konflikt fizik ka ndodhur mes Dumanit dhe Amarildo Nikollit. Përpara prokurorëve të Elbasanit, Xhovana Nikolli ka heshtur dhe është shprehur se do të flasë vetëm përballë SPAK./ZËRI