
TIRANË- Nuredin Dumani dhe Amarildo Nikolli, të dy të kthyer në të penduar të drejtësisë janë përplasur fizikisht në ambientet e burgut të sigurisë së lartë, "313", për arsye që ende nuk janë zbardhur. E gjitha kjo ka ndodhur vetëm dy ditë para se në dyert e shtëpisë ku po jeton e dashura e Nikollit, Xhovana dhe motra e saj Alda, të shpërthente një sasi lënde plasëse. Për pasojë mbeti i plagosur një 26-vjeçar i pafajshëm që ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ndërsa Xhovana Nikolli nuk pranon të japë asnjë detaj. Përpara autoritetete të Elbasanit, është shprehur se do të flasë vetëm me prokurorët e posaçëm në SPAK. Në videot e postuara në rrjetet sociale, ajo i bënte thirrje Dumanit që të ‘përmbante’ të dashurën e tij Mirjetën, por se çfarë ka ndodhur saktësisht mes çifteve, nuk dihet ende.