
TIRANË- Giovanna Nikolli, e dashura e Amarildo Nikolli (Xhanej) i cili ndodhet në burg i akuzuar si vrasës me pagesë, nuk ka ndërmend që të ndalet me akuzat e saj kundrejt Nuredin Dumanit, të cilin e bëjnë përgjegjës dhe për shpërthimin me tritol që ndodhi në banesën e marrë me qera prej tyre në qytetin e Elbasanit.
Në një postim të bërë së fundi në profilin e saj në TikTok, Nikolli pretendon se ka marrë mesazhe kërcënuese nga Dumani, njësoj si dhe motra e saj, të cilës i penduari i drejtësisë në një prej sms-ve i përmend se i di dhe vendndodhjen e shkollës së vajzës.
Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Nikolli ka bashkëngjitur një zë, ku dëgjohen kërcënimet, të cilat pretendon se i janë bërë nga Dumani. E reja nga qyteti i Lezhës shkon më tej me denoncimin e saj, kur thotë se këto prova i kanë dorëzuar në prokurorinë e posaçme pas shpërthimit me tritol, por sipas saj prokurorët kanë tentuar që t’i zhdukin, duke marrë në mbrojtje Dumanin. Në videon e publikuar nga Nikolli, Dumani dëgjohet duke kërcënuar dy motrat, të cilave iu kërkon që të mos flasin më për të.
“Do t’iu sh***** r***, o motërq***”, dëgjohet të thotë Dumani ndër të tjera, teksa e motra e Giovannës, Alda Nikolli, ia kthen: Çfarë do bësh ti, çfarë?
Giovanna dhe motra e saj, Alda jetonin së bashku në banesën në Elbasan ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e së dielës, 14 korrik. Pas ngjarjes ato hodhën akuza në drejtim të Dumanit, por edhe Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tyre i penduari i drejtësisë ka trajtim preferencial në ambientet e burgut, dhe merr vendime dhe për të dënuarit e tjerë.
Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, ndërsa u shfaqën dhe pamjet, ku vrasësi me pagesë, tashmë i penduar, komunikonte lirisht nga ambientet e burgut. Pas denoncimit të Nikollit, 2 punonjës të policisë së burgjeve u pezulluan nga detyra. /ZËRI