
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, i është përgjigjur gazetarit të Zëri.ai Edon Kuqi, nëse ka ndryshuar qëndrim për çështjen CEZ DIA, për të cilën po hetohet Ilir Meta.
Zëri.ai i risolli në vëmendje Berishës deklaratat që ai ka bërë në vitin 2015, kur deklaronte se Ilir Meta nuk kishte asnjë tagër që të ndërhynte për privatizimin e CEZ-DIA, ndërsa tashmë shprehet se hetimet për kreun e Partisë së Lirisë kanë prapavijë politike.
Berisha tha se dosja në fjalë është hetuar dy herë nga Gjykata, dhe nëse Meta do të ishte i implikuar në këto hetime, Edi Rama nuk do ta kishte propozuar si president.
Ju keni folur në vitin 2015 për çështjen CEZ-DIA dhe keni qenë i ashpër për rolin e Ilir Metës, asokohe drejtues i Kuvend. Por në daljen tuaj të fundit, ju thatë se nuk kishit dijeni për rolin e tij. A ka një ndryshim në qendrim të Sali Berishës? A po e mbroni ju Ilir Metën sot, për hir të aleancës opozitare dhe në vitin 2015 e akuzonit pasi aleanca e tij ishte me PS. Si është e vërteta juaj për Ilir Metën në CEZ-DIA?
Berisha: E para të them lidhur me CEZ-DIA nuk kam pasur asnjë dijeni për brendinë e saj, dhe kjo është e provuar. Është një çështje e hetuar, për të cilën kanë bërë burg dhe kanë dalë nga burgu persona të implikuar në këtë çështje. Që të mendoj se nuk ka politikë këtu, unë nuk jam naiv. Sepse dosja kishte dalë para se Edi Rama ta votonte Ilir Metën për president. Çdo njeri ka të drejtë që ta mendojë këtë si një veprim të mirëfilltë politik. Nëse dokumentet faktonin se Ilir Meta kishte bërë një veprim të gabuar, nuk gjykoj se dojsa duhet të bëhej pa të. Ky është një gjah shtrigash që bën Edi Rama.
-
Dy fytyrat e Berishës për CEZ-DIA
8 Nëntor, 20:05
Zëri.ai e pyeti gjithashtu Berishën në lidhje me grevën e urisë që ka paralajmëruar se do të mbajë opozita.
Opozita diskuton për një opsion të grevës së urisë si formë e aksionit të saj, por nëse ndalemi vite më parë, ju e ironizonit kundërshtarin tuaj duke i thënë "eja bëjeni grevën te kati i parë i kryeministrisë". A ju step kjo nga mbajtja e grevës?
Berisha: Greva e urisë, e filluar nga Edi Rama qe në bulevard. Po të them një gjë shko tek Piceri Era, merr faturat, 2 vakte kishin pizza dhe një dërgohej bërxolla. S'mund të impresionohesha dhe kisha porositur që të mos i prekte kush, pastaj filluan 'jo kemi të ftohtë', po hajdeni iu thashë tek kati i parë i kryeministrisë, bosh e kisha. Nuk i thosha grevë urie kur ai djali shkonte dhe u dërgonte pizza me karrocë. Unë edhe mund t'i filmoja po nuk doja ti turpëroja duke ngrënë.
/Zëri.ai