Politikë

A është implikuar Meta në çështjen CEZ-DIA? Berisha 'harron' deklaratat e 2015-s

Ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nëse iu qëndron akuzave të bëra ndaj Metës më 2015, në lidhje me skandalin CEZ-DIA. Berisha u shpreh se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se nuk ka bërë akuza.

D.XH
A është implikuar Meta në çështjen CEZ-DIA? Berisha
Berisha

TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha, në konferencën për mediat, u pyet në lidhje me dëshminë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në SPAK, për çështjen CEZ-DIA.

Berisha tha se nuk ka dijeni për këtë çështje, pasi CEZ ishte kompani private dhe nuk njoftonte askënd për aktivitetet e saj.

Më 2015, ju keni sulmuar ish-presidentin Ilir Meta për çështjen CEZ-DIA. A i qëndroni të njëjtave akuzave, që keni thënë për Metën për këtë çështje?

Berisha: Nuk kam pasur dijeni për këtë çështje. CEZ nuk njoftonte asnjë nga aktivitetet e tij, sepse ishte firmë private. Nuk kam dijeni dhe sot se cilat janë lidhjet e Metës në këtë histori.

CEZ-DIA është hetuar në mënyrë intensive. Ish-presidenti i kompanisë është arrestuar dhe një grua mesa di unë. Nuk kam asnjë dijeni më tepër nga ç’kam thënë. Nuk di të jenë bërë negociata në emër të qeverisë.

Çfarë deklaronte Berisha më 2015 në parlament?

Pasi Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë çështjen CEZ-DIA. Në shtator 2015, kreu demokrat Sali Berisha deklaronte në parlament se ish-presidenti Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë.

“Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë tagër, asnjë detyrë, për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. Kurrë. Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn?

Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij, që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje”, deklaronte Berisha më 2015.

Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, në bashkëpunim me CEZ.

Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria e asaj kohe./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB