Politikë

Afera Partizani, GJKKO rrëzon Berishën! Ish-kryeministri me masë sigurie

GJKKO ka rrëzuar 2 kërkesat e ish-kryeministrit Sali Berisha, atë për shuarje të masës së sigurisë dhe përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Irena Gjoka.

k.m.
Afera Partizani, GJKKO rrëzon Berishën! Ish-kryeministri me masë
Sali Berisha

TIRANË- GJKKO ka rrëzuar 2 kërkesat e ish-kryeministrit Sali Berisha, për shuarjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe për përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irena Gjoka.

Ish-kryeministri do të duhet të paraqitet në gjykatë çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit dhe nuk duhet të largohet nga vendi.

Gjykata vendosi 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Sali Berisha, me objekt: “Konstatim i humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof.Dr.Sali Berisha, Kryetarit të Opozitës” , si të pabazuar në ligj.2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot, me datë 08.11.2023”, njoftoi GJKKO.

Pas rrëzimit të dy kërkesave të ish-kryeministrit Sali Berisha, avokati i tij, Genc Gjokutaj, në një prononcim për mediat, tha se gjykata rikonfirmoi dhe njëherë shkeljet që ka bërë.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një gjykatë të çoroditur, e cila nuk pranon asnjë kërkesë.

“Gjykata rikonfirmoi dhe njëherë shkeljet që ka bërë. Pamë një Prokurori, të lajthitur në objekt. Nuk i përgjigjej kërkesave tona, por i referohej dispozitave për gjykimin në themel. Ishte një gjykatë e çoroditur, e cila nuk pranon asnjë kërkesë.

Ne sot kemi paraqitur edhe kërkesën për përjashtimin e gjyqtares. Kjo është e dyta kërkesë për përjashtimin e saj. Një reagim krejt i ftohtë dhe një vendimmarrje si gjitha tjerat. Sigurisht kjo seancë ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës. Ne do të jemi në vazhdim të procesit. Vendimi i zbardhur na u dha sot. Imagjinoni që vendimet janë të paekzekutuara, vendimet janë të padepozituara në Sekretarinë e Gjykatës, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria flisnin sikur ata vendime kanë qenë në dispozicion dhe janë komunikuar.   

Ne e konsiderojmë vendimin të paekzekutuar, pavarësisht se këta po i qëndrojnë shkeljes. Por sigurisht, një gjykatë dhe një prokurori që shkel kushtetutën, ligjin procedurial e ka në plan të dytë”, tha Gjokutaj.

Kujtojmë se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk u paraqit në seancën e GJKKO që nisi në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm. 

Seanca u shty, ndërsa përfaqësuesi ligjor i Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi se gjyqtarja Irena Gjoka është shkarkuar nga detyra nga Sali Berisha në 1996 në cilësinë e kryetarit të KLD-së, si President i vendit. “Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë”- u shpreh Gjokutaj.

“Ne filluam seancën me pak vonesë pasi gjykata ishte në një gjykim tjetër, bëmë kërkesë paraprake për përjashtimin e gjyqtares Irena GJoka. Është depozituar kërkesa. Është ndërprerë seanca për t’u shqyrtuar kërkesa për përjashtim dhe për të na dhënë një kopje të akteve të prokurorisë në lidhje me objektin e kërkimit.

Seanca është shtyrë për orën 15:30 dhe do ju themi çfarë u bë dhe argumentet.

Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë, por nuk e bëri këtë veprim pasi në ’96 kjo gjyqtare është shkarkuar nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe, i cili kryesohej nga Berisha në cilësinë e kryetarit të KLD-së si President i Republikës”, tha Gjokutaj.

Avokati theksoi se kanë kërkuar shuarje të masës ndaj ish-kryeministri Berisha pasi sipas tij gjykata nuk ka zbardhur vendimin dhe për pasojë nuk ka bërë ekzekutimin.

Edhe më parë, në një seancë paralele, GJKKO shqyrtoi dhe rrëzoi kërkesën e Berishës për përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irena Gjoka. Ishte kolegia e saj Flora Haradinaj, e cila e konsideroi si të pabazuar dhe të padrejtë kërkesën e Berishës, e madje e gjobiti atë me 5 mijë lekë të rinj. SPAK e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportive “Partizani”. Për këtë ndaj tij është ngritur akuza e korrupsionit, ndërsa për Malltezin është shtuar dhe ajo për pastrimin e parave. Për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha u konfirmua të hënën masa e sigurisë së arrestit me burg./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB