Aktualitet

Nis në GJKKO seanca për Jamarbër Malltezin, kërkon ndryshimin e masës 'arrest në burg'

Jamarbër Malltezi kërkoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj tij, me "arrest shtëpie".

k.m.

Nis në GJKKO seanca për Jamarbër Malltezin, kërkon
Jamarbër Malltezi

TIRANË- Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi do të vazhdojë që të qëndrojë në burg. Sot në seancën e caktuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Malltezi kërkoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj tij, me "arrest shtëpie". Avokatët mbrojtës pretenduan se vendimi i zbardhur i masës së sigurisë ndaj klientit të tyre i kishte kaluar të gjitha afatet, ndaj edhe kërkuan lirimin e tij nga qelia. por kërkesa e tij u rrëzua nga trupa gjykuese, e kryesuar nga Irena Gjoka. Po ashtu, avokatët e tij, Klodian Skënderi dhe Antoneta Sevdari, në nisje të seancës gjyqësore kanë kërkuar gjithashtu përjashtimin e gjyqtares së çështjes Irena Gjoka, me argumentin e moszbardhjes në kohë të vendimit.

E njëjta kërkesë është bërë edhe nga përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit Berisha, i cili gjithashtu po hetohet për të njëjtën çështje, por kërkesa e tij u rrëzua. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Gjykata, bazuar në nenet 112, 249, pikat 1/1 dhe 7 të Kodit të Procedurës Penale; VENDOSI: 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Jamarbër Malltezi, me objekt: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së masës shtrënguese “arrest në burg” të caktuar sipas vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Prof.Dr.Jamarbër Malltezi.”, si të pabazuar në ligj. 2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot, me datë 08.11.2023.

Malltezi u vu në pranga pasditen e së shtunës, më 21 shtator, në aeroportin e Rinasit, pasi SPAK kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirit të Lalzit. Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Por ndryshe nga Bektashi, Berisha ka refuzuar deri më tani të shkojë në seancë.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB