
TIRANË- Politika nuk ka gjithmonë lidhje me të vërtetën, por qëndrimet, të paktën në Shqipëri kanë treguar me kohën që ndryshojnë. Sot, shembulli i një kthimi pllake ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur për çështjen CEZ-DIA.
Në konferencën e tij të sotme për shtyp, kryedemokrati tha se nuk ka asnjë dijeni për lidhjet e Metës dhe kompaninë "CEZ". Por duket se në vitin 2015 kishte më shumë dijeni...ose të paktën ashtu la të kuptonte.
-
Rihapja e dosjes CEZ-DIA
8 Nëntor, 15:13
Në vitin 2015, lideri historik i demokratëve doli në përfundimin se Ilir Meta, si ministër i Jashtëm kishte takuar në Pragë dhe kishte negocuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, ish-administratorin e CEZ. Madje edhe e akuzoi për korrupsion ndërkombëtar duke kërkuar që të hetohej. Me kalimin e viteve, duket se informacionet i kanë "rrjedhur" gjatë viteve, e ndoshta fshirë fare kur shtrënguan duart për të firmosur "Bashkë fitojmë". Veçse tani, të dy kërkohen nga SPAK për të dhënë sqarime për dosje të vjetra, si Partizani dhe CEZ, që tashmë janë shplurosur nga agjentët.
Sali Berisha, shtator 2015: Një dëshmi tjetër vjen nga ish-administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë.
Sali Berisha nëntor 2023: Nuk kam pasur dijeni për këtë çështje. CEZ nuk njoftonte asnjë nga aktivitetet e tij, sepse ishte firmë private. Nuk kam dijeni dhe sot se cilat janë lidhjet e Metës në këtë histori. CEZ-DIA është hetuar në mënyrë intensive. Ish-presidenti i kompanisë është arrestuar dhe një grua mesa di unë. Nuk kam asnjë dijeni më tepër nga ç’kam thënë. Nuk di të jenë bërë negociata në emër të qeverisë./Zëri.ai