Politikë

Progres-raporti i KE për Shqipërinë: Skena politike, e polarizuar. Korrupsioni problem

Progres raporti i vitit 2023 evidenton një sërë problematikash. Nënvizohen probleme të caktuara në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë problem shqetësues.

D.XH
Progres-raporti i KE për Shqipërinë: Skena politike, e
KE

BRUKSEL – Komisioni Europian ka publikuar progres raportin për Shqipërinë për vitin 2023. Në jo më pak se gati 150 faqe është analizuar çdo sektor i vendit, të gjitha të monitoruara në harkun e një viti. Por edhe kësaj here kryefjala ka qenë "korrupsioni dhe krimi i organizuar". Duke përdorur vlerësimet “regres”, “jo progres”, “pak progres”, “shumë progres” dhe “progres i shkëlqyer”, KE ka publikuar të plotë raportin për Shqipërinë. Sa i përket korrupsionit, në progres raport thuhet se janë bërë përparime, por se ende mbetet një problem shqetësues.

“Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, mbetet një fushë me shqetësim serioz. Organet e SPAK kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë,”- thotë progres raporti.

Raporti vë në dukje se duhet të bëhet më shumë punë për të luftuar krimin e organizuar e sidomos trafikimin e lëndëve narkotike.

“Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar, teksa vazhdimisht bashkëpunon me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së. Duhet të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit,”- nënvizon progres raporti.

Më pas, më gjatë janë ndalur tek situata politike në vend, të cilën e kanë vlerësuar si "të polarizuar". Në raport, evidentohet kriza në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike. Ndërsa gjithashtu përmenden zgjedhjet e 14 majit, për të cilat shkruhet se janë zhvilluar në një klimë të qetë, por gjithashtu përfshihen edhe të dhënat e OSBE-së që kanë hasur në një sërë parregullsish gjatë misionit të tyre vëzhgues në vendin tonë.

“Ka shqetësime për keqpërdorimin e burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë vendor, pretendime për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe pretendime për blerje votash. Të gjitha këto duhet të hetohen siç duhet,”- thuhet në raport.

Në raport 'qortohet' edhe puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. 

“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim, as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, vlerëson raporti.

RAPORTI I PLOTË:

Progres raporti i KE-së për Shqipërinë

Për sa i përket kritereve politike, zgjedhjet lokale më 14 maj 2023 u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë. Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, si dhe pretendimet për blerje votash. Është regjistruar një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38.2%.

Skena politike

Skena politike vazhdoi të shënohej nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar. Në mars 2023, me një shumicë të madhe u miratuan amendamente që forcojnë rolin konsultativ të Parlamentit në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Vonesat dhe politizimi i emërimeve të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit të ri Kundër Diskriminimit i dobësojnë këto institucione të pavarura. Nën koordinimin e kryenegociatorit dhe strukturave të reja të reformuara të negociatave të BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t'u angazhuar aktivisht për hapat e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit.

Ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fuqishëm publik mbi procesin e anëtarësimit në BE. Ndërsa shoqëria civile është përgjithësisht e lirë, organizatat e shoqërisë civile kanë pak mundësi që të kontribuojnë në proceset politike. Roli i shoqërisë civile, përfshirë procesin e negociatave për anëtarësim në BE, duhet të forcohet.

Administrata publike

Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur sa i përket administratës publike. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar. Riorganizimi i roleve dhe përgjegjësive brenda Zyrës së Kryeministrit është ende në vazhdim.

Dispozitat për rekrutimin e bazuar në merita në Ligjin për Shërbimin Civil nuk zbatohen në mënyrë konsistente, veçanërisht në nivelin e menaxhimit në nivele të larta.

U bënë përpjekje të konsiderueshme për dixhitalizimin e shërbimeve publike, por mbetet thelbësore të sigurohet akses i barabartë në shërbime për qytetarët me akses të kufizuar në pajisjet e TI-së ose me paaftësi për të përdorur pajisjet e teknologjisë. Kërkohet gjithashtu një vëmendje e shtuar për sigurinë dixhitale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht pas sulmeve kibernetike në vitin 2022 dhe një sërë rrjedhjesh të të dhënave.

Sistemi gjyqësor

Shqipëria ka një nivel të moderuar përgatitjeje për funksionimin e gjyqësorit. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdoi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët në detyrë, nga të cilët tetë me mandat të plotë nëntëvjeçar. Struktura e Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arriti rezultate të mëtejshme dhe në dhjetor 2022 u zgjodh kryeprokurori i ri i posaçëm pas një procesi të mirë.

Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i dosjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë. Është bërë përparim në adresimin e vendeve vakante të gjyqësorit nëpërmjet betimit të 40 magjistratëve të rinj në tetor 2023.

Vlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka vazhduar të ecë me ritme të kënaqshme. Deri më 6 tetor, 57% e dosjeve të vetingut të përpunuara kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit. Në qershor 2023, Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese me 6 muaj burg për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie gjatë procesit të vetingut.

Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi elementë kriminalë. Sistemi i menaxhimit të çështjeve dhe sistemi i trajnimit gjyqësor kanë nevojë për përmirësim, për të rritur më tej efikasitetin dhe profesionalizmin në të gjithë sektorin.

Lufta kundër korrupsionit

Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, mbetet një fushë me shqetësim serioz. Organet e SPAK kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë.

Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët më vulnerabël. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivele të larta mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar ndjekjen e duhur gjyqësore në rastet e verifikimit, ku ka indicie për vepra penale. Kapaciteti institucional i Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë duhet të forcohet më tej dhe përbërja e Komisionit të Etikës duhet të rishikohet. Sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit duhet të marrin veprime të përkushtuara.

Lufta kundër krimit të organizuar

Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar, teksa vazhdimisht bashkëpunon me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së. Duhet të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit. Progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar një rritje të numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë, dhe për të krijuar zyrën e rikuperimit të pasurisë.

Në luftën kundër krimit kibernetik, pastrimit të parave dhe parandalimit e luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat, nevojiten rezultate shtesë. Të gjitha format e abuzimit seksual të fëmijëve në internet duhet të kriminalizohen dhe ndiqen penalisht. Është arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të Moneyval dhe Planit të Veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Shqipëria mbeti në listën e FATF-së të juridiksioneve nën monitorim të shtuar për shkak të projektligjit të saj për Pajtueshmërinë Vullnetare Tatimore (QAP) (duke përfshirë një amnisti penale). Pas tërheqjes së projektligjit, në qershor 2023 FATF vendosi të propozojë një vizitë në terren, e cila u zhvillua në gusht dhe çoi në heqjen e Shqipërisë nga lista në tetor 2023. Megjithatë, Shqipëria duhet të sigurojë që çdo ligj i ardhshëm i QAP-së (përfshirë amnistitë e mundshme penale) të jetë në përputhje me ligjet e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Puna e bërë mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i pamjaftueshëm dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej.

Të drejtat themelore dhe liria e shprehjes

Për të drejtat themelore, përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen. Është bërë përparim në përdorimin e dënimeve alternative, përpos paraburgimit. Ka pasur disa përparime në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, sa i përket vlerësimit biopsikosocial.

Procesi i regjistrimit të pronave dhe proceset e tjera kalimtare duhet të avancojnë me transparencë të plotë, duke përfshirë edhe trajtimin e korrupsionit. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues nuk ka avancuar. Për më tepër, Shqipëria duhet të vendosë garanci të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të dhënave personale.

Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar në fushën e lirisë së shprehjes. Është bërë përparim i kufizuar. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.

Që nga janari i vitit 2022, qeveria shqiptare ka zbatuar një sërë masash që synojnë mbështetjen e familjeve, grave dhe vajzave dhe grupeve vulnerabël, si përgjigje ndaj krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Është rritur ndjeshëm ndihma ekonomike për viktimat e dhunës në familje. Zbatimi i ligjit për barazinë gjinore dhe strategjia kombëtare për këtë çështje duhet të intensifikohet më tej.

Migracioni

Kuadri ligjor për migracionin është kryesisht në përputhje me rekomandimet e BE-së, por ka nevojë për përditësim në përputhje me zhvillimet e BE-së. Shqipëria ka kontribuar në menaxhimin e flukseve të migracionit drejt BE-së, duke bashkëpunuar për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria përfundoi një marrëveshje të rishikuar me Frontex në shtator.

Në vitin 2022, numri i migrantëve të parregullt që hynë në Shqipëri u reduktua me 34%, krahasuar me vitin 2021. Nuk është bërë përparim në referime dhe akses në procedurat e azilit dhe mangësitë në procedurat e kthimit mbeten evidente. Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar nevojat e të miturve të pashoqëruar dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Megjithëse numri i kërkesave për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Shengen mbetet më i ulët se niveli para pandemisë, ai u rrit sërish në vitin 2022. Për të trajtuar këtë fenomen nevojiten ende përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

Tregjet dhe ekonomia

Për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka një nivel mesatar dhe të mirë të përgatitjes për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe ka bërë disa përparime në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Ekonomia tregoi elasticitet dhe rritja e PBB-së mbeti e fortë në vitin 2022, pavarësisht pasojave ekonomike nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria është në nivelin e përgatitjes për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së dhe ka bërë disa përparime në reformat strukturore në tregun e energjisë, infrastrukturën e transportit, dixhitalizimin e ekonomisë dhe arsim, megjithëse mbeten boshllëqe të konsiderueshme me nivelet rajonale dhe evropiane.

Prokurimi publik

Përsa i përket prokurimit publik, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur dhe ka bërë disa përparime. Për sa i përket statistikave, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar dhe ka bërë disa përparime në përafrimin e mëtejshëm me standardet e Sistemit Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010) dhe ka bërë hapa për të forcuar rolin e Institutit të Statistikave. Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në fushën e kontrollit financiar, ku është bërë njëfarë progresi, veçanërisht me përditësimet e kuadrit ligjor për kontrollin e brendshëm dhe auditimin e brendshëm dhe zbatimin e dokumentit të politikave për forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik dhe ka vazhduar të synojë auditimet e brendshme për detyrimet e prapambetura.

Lëvizja e lirë e mallrave

Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të tregut të brendshëm, përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, shërbimet financiare dhe politikën e konkurrencës. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e shoqërive tregtare dhe të drejtën e pronësisë intelektuale.

Është bërë njëfarë progresi në të drejtat e pronësisë intelektuale dhe në lëvizjen e lirë, si dhe në shërbimet financiare. Megjithatë, nuk është bërë përparim në politikën e konkurrencës, ku Komisionit të Ndihmës Shtetërore ende i mungon pavarësia operacionale. Përgatitjet janë në një fazë të hershme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, ku vendi ka bërë përparim të kufizuar. Njëfarë progresi është bërë edhe në lëvizjen e lirë të kapitalit, gjë që çoi në heqjen e vendit nga lista e juridiksioneve të FATF-së, ku ishte nën monitorim të shtuar.

Konkurrenca

Shqipëria ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje në shumë fusha që lidhen me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, përkatësisht taksat, politikat e sipërmarrjeve dhe industriale, politikat sociale dhe punësimi, arsimi dhe kultura e bashkimi doganor. E njëjta gjë vlen edhe për transformimin dixhital dhe median, ku vendi ka bërë progres, duke përfshirë edhe anëtarësimin në programin e Evropës Dixhitale në qershor 2023.

Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në fushën e shkencës dhe kërkimit. Vendi arriti një nivel të moderuar përgatitjeje në politikën ekonomike dhe monetare, pasi qeverisja dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë ishin të përshtatshme dhe efektive në përballimin e krizës së shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Me përparimin e kufizuar të bërë në bashkimin doganor, kërkohen gjithashtu më shumë përpjekje në ndjekjen e luftës kundër kontrabandës, korrupsionit dhe importeve të produkteve të falsifikuara.

Mjedisi dhe transportet

Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në fushën e transportit, rrjeteve trans-evropiane, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike dhe ka një nivel mesatar deri në të mirë për energjinë. Progres vihet re në reformën e tregjeve të energjisë elektrike, në ankandet e energjisë së rinovueshme dhe në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe të energjisë rajonale. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për energjinë e rinovueshme dhe për efikasitetin e energjisë. Shqipëria ka ratifikuar pjesëmarrjen në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit dhe është aktive në të.

Për mjedisin dhe klimën, nevojiten përpjekje të mëtejshme për menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, zbatimin e ligjit mjedisor dhe mbrojtjen e natyrës. Ky grup dhe reformat në fjalë kanë lidhje të rëndësishme me programin e reformës ekonomike të Shqipërisë, planin ekonomik dhe investues të Komisionit dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria duhet të trajtojë planifikimin strategjik të investimeve dhe kapacitetin e zbatimit dhe monitorimit të projekteve të infrastrukturës.

Bujqësia dhe zhvillimi rural

Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në shumicën e fushave të lidhura me bujqësinë dhe politikën rajonale dhe kohezionin, përkatësisht bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikën veterinare dhe fitosanitare, si dhe dispozitat financiare dhe buxhetore. Ekziston një nivel i moderuar i përgatitjes në peshkim dhe akuakulturë, si dhe në politikën rajonale. Është vërejtur njëfarë progresi në shumicën e fushave të mbuluara, veçanërisht me miratimin e Ligjit për verën dhe në lidhje me kapacitetet administrative për instrumentin për asistencën para anëtarësimit për programin e zhvillimit rural   Nevojiten përpjekje të mëtejshme në politikën rajonale, veçanërisht në kapacitetin administrativ dhe koordinimin ndërmjet niveleve qendrore, lokale dhe komunale, si dhe në dispozitat financiare dhe buxhetore.

Politika e jashtme

Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje për sa i përket marrëdhënieve të jashtme, sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes. Në marrëdhëniet e jashtme, Shqipëria bëri disa përparime, duke përafruar më tej legjislacionin e saj me të BE-së për parandalimin e tregtisë së mallrave të caktuara që janë të rrezikshme.

Për sa i përket politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Shqipëria ka mbajtur përputhje të plotë me të gjitha vendimet dhe deklaratat përkatëse të BE-së gjatë periudhës raportuese. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga janari 2022, Shqipëria vazhdon të angazhohet në mënyrë aktive në promovimin dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, si dhe të mbrojtjes të të drejtave të grave, por dhe mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë./Zëri.ai/

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB