Politikë

Rakip Suli del nga SPAK "i buzëqeshur": Kallëzimi është shpifje!

Pas rreth dy orësh në SPAK, Suli doli "i buzëqeshur" duke deklaruar se u paraqit vetëm për të dorëzuar disa dokumente, ndërsa e konsideroi kallëzimin e bërë si shpifje.

k.m.
Rakip Suli del nga SPAK "i buzëqeshur": Kallëzimi
Rakip Suli

TIRANË- Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli është paraqitur sërish në SPAK ditën e sotme, në lidhje me kallëzimet e bëra ndaj tij për abuzim me kompensimet e fondit të rindërtimit. Pas rreth dy orësh, Suli doli "i buzëqeshur" nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se u paraqit vetëm për të dorëzuar disa dokumente, ndërsa e konsideroi kallëzimin e bërë si shpifje.

"Erdha për të sjellë disa dokumente. Kallëzimi është shpifje. Nuk përbaltet puna titanike e bashkisë së Kamzës. Të investohet nga Bashkia e Kamzës në të mirë të qytetarëve të Kamzës që më mbështetën dhe më votuan në 14 Maj. Ky ishte qëllimi i paraqitjes tim sot me dëshirën time. Bëra mirë që erdha patjetër”- u tha Suli gazetarëve.

Kujtojmë se kjo është hera e tretë brenda javës që kreu i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli paraqitet në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në paraqitjen e tij në SPAK në 6 nëntor, Suli është shprehur se do të shkojë sa herë të jetë e nevojshme dhe kërkoi që drejtësia të lihet të bëjë punën e saj.

SPAK po kryen hetimet ndaj Sulit dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Suli fillimisht u padit më 11 shtator nga anëtarët e këshillit bashkiak, për disa vendime që kishte marrë në lidhje me disa çështje të administrimit të Bashkisë. Partia e Lirisë së bashku me këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë, në emër të banorëve të Kamzës, kallëzuan penalisht kreun e Bashkisë Kamëz, Rakip Sulin. Duke iu referuar raportit të KLSH-së për bashkinë, është kërkuar ndjekja penale për kryebashkiakun socialist, për akuzat shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera. Gjithashtu më datë 24 tetor ai është kallëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe nga banorët e Kamzës, të cilët e akuzojnë Sulin për disa shkelje dhe për korrupsion./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB