
TIRANË – Duke nisur nga mesdita e sotme, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit po vazhdon seanca paraprake për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.
Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, përmes avokatit të tij, ka kërkuar pushim të çështjes dhe nëse kjo kërkesë nuk realizohet, gjykim të shkurtuar. I pranishëm në gjyq, Dako deklaroi se leja për pallatin ka ardhur nga një vendim kolegjial.
Dako tha se sa i përket tenderit të vijës bregdetare, projekti është aty dhe ka kërkuar që të kryen verifikimet. Avokatët e tij kanë thënë se Vangjush Dako nuk ka kryer vepër penale.
Ndaj ish-kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste. Bëhet fjalë për një pallat në qendër të Durrësit, i cili fillimisht ka patur një leje për 8 kate, por që ka përfunduar me 3 kate të tjera shtesë.
Pas seancës së sotme në GJKKO, e cila zgjati disa orë, do të vazhdojë më datë 2 shkurt seanca paraprake për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Në seancën e 2 shkurtit, gjykata do të vendosë nëse dosja do të kalojë në gjyq apo jo.
Kanë qenë banorët e tij, që pas dëmtimeve të rënda që objekti pësoi nga tërmeti i viti 2019, paraqitën kallëzim në prokurori. Rasti i dytë, lidhet me një tender, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar se ka një dëm ekonomik prej 18 milionë lekësh dhe një kallëzim të bërë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 nga ish kryetari i Partisë Demokratike të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK më datë 6 qershor 2023. Në pranga, përpos tij, u vunë edhe 8 ish-zurtarë në Bashkinë e Durrësit dhe një ndërtues. Ndaj Dakos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste. Njëra akuzë është për lejen e ndërtimit e dhënë përpara 11 vitesh dhe tjetra për një tender të vitit 2014-2015, për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën bregdetare, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm 18 milionë lekë. Nga momenti i arrestimit, ndaj Dakos është lënë në fuqi masa e arrestit me burg.
Kush janë të pandehurit në gjyq:
Vangjush Dako, ish-kryebashkiak i Durrësit. Akuzohet për shpërdorim detyre, 2 herë.
Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë, falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve, të kryer në formën e falsifikimit të formulave të miratuara nga personi, që ka për detyrë dhe në bashkëpunim.
Fiqiri Farruku, administrator i firmës së ndërtimit Fakle Shpk. Akuza: falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpumin.
Ermal Lama, specialist i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim.
Fatmir Ejupi, specialist i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim.
Adrian Bulku, topograf. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim.
Adnand Toçila, përgjegjës i zyrës urbanistike. Akuza: Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.
Meri Semini, specialist i Urbanistikës në Bashkinë Durrës. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim.
Firzilet Hajdëri, specialiste. Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim.
Diana Dedja, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim./ZËRI/