
TIRANË- Pas më shumë se 4 muajsh që gjendet pas hekurave, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon ndryshimin e masës 'arrest me burg'. Dako u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në 6 Qershor të këtij viti, pas një urdhërarresti të lëshuar ndaj tij për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste.
Rekursi për të rrëzuar vendimin e Apelit të Posaçëm, është regjistruar nga Gjykata e Lartë, teksa shorti ka caktuar si gjyqtar relator Ilir Pandën dhe pritet nga ky i fundit caktimi i datës për shqyrtimin e kërkesës.
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një leje ndërtimi në 2011 për një pallat, në lagjen nr 5, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës. Pasi verifikimeve dyshohet se pallati kishte 4 kate pa leje dhe legalizimi i godinës është kryer në shkelje të ligjit.
Rasti i dytë ka të bëje me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmi llogaritej në 18 milionë lekë. Gjithsej bashkë me Dakon u lëshuan 10 urdhër arreste, 7 prej të cilave me arrest në burg dhe 3 në arrest shtëpie./Zëri.ai