
TIRANË- Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza dhe katër spitale të tjera rajonale, ai i Durrësit, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, morën sot kartat e Autonomisë Menaxheriale. Deri më sot, këtë "status" e ka pasur vetëm spitali “Memorial” i Fierit, i cili u konsiderua edhe si një projekt pilot për t'u zgjeruar më pas edhe në të gjithë vendin. Sot, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu i dhanë "certifikatën" edhe 4 spitaleve të tjera, në zbatim të një ligji që ka kaluar para 2 vitesh nga Kuvendi i Shqipërisë. Deri në vitin 2027, duhet që 17 qendra spitalore do të vetëmanaxhohen në të gjithë vendin.
“Autonomia është një mekanizëm i cili ka filluar të aplikohet prej më pak se një viti, gradualisht do të krijojë mundësinë që në sistemin tonë shëndetësor të ketë paga edhe më të larta për mjekët që sigurisht janë të lidhur me performancat e tyre. Ky është një proces që do të thellojë më tej meritokracinë, duke krijuar mundësinë për mjekët dhe hapësira më të mëdhaja për të punuar dhe angazhuar brenda struktura të tyre shëndetësore. Përfitimet shtesë që gjeneron autonomia spitalore, ecin paralel dhe nuk i mbivendosen programit tonë për rritjen e mëtejshme të pagave, program nga i cili pas rritjes më të madhe historike të ndodhur në 2023-shin, do të vijojë këtë vit me një rritje të mëtejshme për mjekët dhe infermierët,”- deklaroi Koçiu.
Por si funksionin vetëmenaxhimi?
Autonomia spitalore i jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator: për t’u vetë-administruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri – tjetrit, por edhe me spitalet jopublike. E gjitha kjo për të sjellë rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët; mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumentave dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialist në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.
‘Autonomi spitalore’ është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik. Ligji parashikon “Kartën e Autonomisë Spitalore”, e cila garanton dhënien e autonomisë spitaleve publike, e cila jepet nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
Çfarë parashikon ligji për autonominë dhe vetëmenaxhimin?
Ka 2 modele të autonomisë së spitaleve:
a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore;
b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.
Për të gjithë mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi që punon në këto spitale, do të paguhet në bazë të përformancës së tyre. Por po sot, u prezantua edhe një risi e re. Kryeministri Edi Rama tha se tanimë mjekët mund të kryejnë shërbime private brenda spitaleve shtetërore, duke marrë edhe përqindjen e tyre të fitimit. Pra mjekët që mund të ofrojnë shërbim përtej orarit të punës, ligjërisht mund të marrin 70% të pagesës ndërsa 30% do t’i kalojë spitalit. Sesa do të jetë shuma për çdo shërbim ekstra, kjo është ende e paqartë se nga kush do të vendoset; nga mjeku, spitali, apo shteti. Megjithatë është një indicie për të larguar qytetarët nga shërbimi privat.
“Mjekët që punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra që është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do e marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit,”- tha Rama.
Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.
Kush e drejton një spital autonom?
Organet drejtuese janë: a) bordi drejtues; b) ekipi menaxhues; c) administratori i përgjithshëm. Por të gjithë janë në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe pse "të pavarur", spitalet publike autonome duhet që të raportojnë çdo vit pranë ministrisë për veprimtaritë dhe financat, të cilat duhet që t'i "derdhin" në një llogari bankare të hapur në një bankë të nivelit të dytë. Pikërisht këto të ardhura që mund të përfitojë spitali autonom, duhet të riinvestohen për zhvillimin e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore. Kostot llogariten nga bordi drejtues.
"Kostot e shërbimeve spitalore publike përllogariten, duke u bazuar në shpenzimet e bëra nga institucioni për diagnostikimin, kujdesin dhe trajtimin e pacientëve, si dhe çdo kosto tjetër të nevojshme për ofrimin e shërbimit spitalor. Kostot e përgjithshme, të tilla si; amortizimi, rinovimi dhe modernizimi i pajisjeve spitalore nuk kalon 4% të kostove totale,"-shkruhet ndër të tjera në ligj.
Tani me kartën e re të autonomisë, të varur në murin e derës së tyre, mbetet për t'u parë sesi do të përshtatet tek 5 spitalet e radhës; do të jetë sukses apo dështim?/ZËRI