Politikë

Autonomia spitalore, mjekët mund të ofrojnë shërbime private në shtet, si do të ndahen fitimet 70 me 30%

Kryeministri Rama tha sot se mjekët që duan të punojnë përtej orarit të punës në shtet, mund të ofrojnë shërbime me pagesë, ndërkohë që një pjesë e fitimeve do t’i kalojë vetë spitalit

E.K
Autonomia spitalore, mjekët mund të ofrojnë shërbime private
Edi Rama

TIRANË- Pas spitalit të Fierit, 4 spitale të tjera në vend janë pajisur sot me kartën e autonomisë spitalire, që janë spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës. Kryeministri Edi Rama tha se qeveria synon që të fuqizojë spitalet publike, ku tashmë mjekët do të kenë mundësi që të ofrojnë shërbime private jashtë prarit të punës, por në ambientet e vetë spitalit. Sipas Ramës, përmes kësaj skeme, mjekët mund të marrin 70% të pagesës ndërsa 30% do t’i kalojë spitalit. Rama tha se mjekët mund të shfrytëzojnë të gjitha pajisjet e spitaleve, për të kryer shërbimet, ndërkohë që tarifat do të vendosen nga vetë strukturat e spitaleve.

“Sot jemi në një fazë tjetër, sot hyjmë në një kapitull të ri falë edhe faktit që Spitali Memorial shërbeu për të pilotuar autonominë menaxheriale dhe brenda vitit synojmë që të hapim në këto spitale që do të marrin certifikatën e autonomisë menaxheriale edhe praktikën e dyfishtë.

Pra mjekët që punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra që është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do e marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit.

Në këtë mënyrë hyjmë më në fund në Europë në kuptimin e konceptimit të sistemit publik si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, ku mjekët nuk janë të detyruar të shohin majtas-djathtas dhe të gjejnë mënyra si të ikin për të shkuar tek privati, për të shtuar diçka në rrogën e tyre, por ku të gjithë mjekët paguhen me rrogë dinjitoze dhe pastaj çdo mjek që mund të punojë më shumë dhe që kërkohet nga qytetarët për t’u shërbyer atyre të mund punojë jashtë orarit dhe të paguhet drejtpërdrejt nga kjo praktikë. Kjo është njëra anë”, tha Rama.

Me autonominë menaxheriale, por edhe atë financiare, sistemi publik shëndetësor sipas kreut të qeverisë do të ketë më shumë interes dhe konkurrencë, ndryshe nga shumë vite më parë, ku spitalet private ishin shumë më para se ato shtetërore.

“Ana tjetër është që pasi të kalojmë të gjithë procesin e nevojshëm të nxjerrjes së të gjitha kostove, protokolleve, të gjitha atyre proceseve që duhen për autonominë financiare përmes autonomisë menaxheriale, atëherë në momentin kur spitalet do të kalojnë në autonomi të plotë, jo vetë menaxheriale, por dhe financiare, do të kenë në dispozicion ata fondet dhe do të vendosin ata si të ishin një strukturë e pavarur se si do të shpenzohen fondet, se cilat sasi të cilave medikamente do të porositen dhe në të njëjtën kohë se si do të shpërblehen ekstra nga të ardhurat e spitalit, mjekët sipas një protokolli shumë të qartë. Jo vetëm praktika e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve në bazë të meritës do të bëjë që interesi për të punuar në sistemin publik do të jetë më i lartë, konkurrenca do të jetë më e fortë dhe pastaj kush do të shkojë në Gjermani të na marrë të keqen”, u shpreh Rama.

Me marrjen e Kartës për vetëmenaxhim, të pesë spitalet publike do të vetë-administrohen për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; organizim dhe menaxhim të burimeve njerëzore, administrim të shërbimeve spitalore dhe jospitalore si dhe organizimin e praktikës së dyfishtë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB