
TURQI- Arrestimi i Dritan Rexhepit, një personazhi të njohur shqiptar gjatë ditës së djeshme, padyshim që ka qenë një nga lajmet më të lexuara gjatë ditës së djeshme, jo vetëm në atdheun e tij, por dhe në shtete ku 44-vjeçari shqiptar kishte zgjeruar aktivitetin kriminal.
Arrestimi u krye në Stamboll, në një bashkëpunim mes Policisë turke dhe asaj italiane, ndërkohë që Rexhepi tentoi sërish që ti arratisej policisë nga vila e tij luksoze ku po qëndronte. Mediat në Turqi shkruan dje se Rexhepi sapo ka parë që ishte rrethuar nga forcat speciale turke, tentoi që të arratisej me një automjet të cilit i ishin hequr targat duke kaluar në pjesën e shtëpisë që të çon në garazh.
Ai kishte me vete edhe një armë pa leje dhe u përpoq t’u rezistonte ekipeve që e ndaluan, megjithatë u kap para se të hipte në automjet. Gjatë kontrollit në banesën ku ai po qëndronte, përveç pistoletës u sekuestruan edhe 2 karikatorë, 13 fishekë, 16 karta SIM, 12 celularë, 2 laptopë dhe 4 USB. Ai ka hyrë në Turqi më 24 shtator me një identitet të rremë.
Rexhepi kishte hyrë në Turqi, nga aeroporti i Stambollit, me identitetin Benjamin Omar Perez Garcia. Policia shqiptare bëri të ditur se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë, kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tij, edhe pse kjo duket e vështirë, pasi ai kërkohet dhe nga shtete të tjera, përfshirë vetë Italinë, nga ku Rexhepi është arratisur nga burgu.
Ilir Kulla tha në emisionin “Zonë e lirë” se Rexhepi ndiqej prej vitesh nga autoritetet italiane. Ai tha se këto autoritete e kanë vëzhguar prej vitesh dhe se kanë e gjetur nëpërmjet fëmijëve.
“Dritan Rexhepi është arrestuar në Stamboll. Kishte një vit që ishte spostuar atje me familjen. Është nga fshatrat e Vlorës, emrin e vet e ka Gramoz, e ka emër të ndryshuar. Para se të shkonte në Turqi, ka qenë në Kolumbi. Është martuar me një zonjë nga Kolumbia që është ndaluar edhe mbrëmë. Ka dy fëmijë.
Operacionin e kanë bërë turqit, por gjithçka e kanë organizuar italianët. Ata kanë ditur lidhjen e tij dhe se kishte dy fëmijë dhe kanë ndjekur fëmijët. Ata kanë ndjekur fëmijët, dhe kjo ka qenë ndër arsyet që u zbulua dhe gabimi që është bërë nga Rexhepi” – tha Kulla.
Rexhepi ka një histori të pasur kriminale që nga fundvitet ’90 në Shqipëri, ku ai rezulton të jetë autori i vrasjes së dy punonjësve të policisë në Fushë Krujë në 1998. Ai do të arrestohej më pas në vitin 2006, por do të arratisej në mënyrë të çuditshme nga komisariati i Durrësit kur ishte duke kryer procedurat e marrjes në pyetje. Tashmë ai akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur kjo në vitin 2020, pas konfliktit për një sasi kokaine, që kishin zhdukur vëllezërit e viktimës./Zëri.ai