
TIRANE- Kryelajmi i mediave turke është goditja e suksesshme që u finalizua me arrestimin e Dritan Rexhepit (Gramoz), i njohur gjerësisht në Shqipëri si koka e kartelit "Los Blancos", grup që në vendin tonë vepronte si kompania Bello. Zëri.ai e ka ndjekur prej vitesh veprimtarinë dhe lidhjet e këtij grupi, koka e të cilit u prangos sot.
Dritan Rexhepi bashkë me një grup shqiptarësh, përfshirë edhe biznesmenin e arratisur në Dubai, Eldi Dizdari janë pjesë e kartelit të parë shqiptar. Emri i grupit nuk është pa kuptim.
Pjestarët e "Bello", e quanin njëri-tjetrin si 'djemtë e bukur' që lidheshin me vajza të famshme dhe misse. Shembulli më i qartë është lidhja e Eldi Dizdarit me ish-Miss Shqipëria, Suada Sherifin, me të cilën kanë edhe një fëmijë.

Sot, Policia Turke dhe ajo italiane arrestuan brenda një vile në Stamboll, Dritan Rexhepin. Rexhepi është koka e grupit ndërsa ekstradimi i tij kërkohet nga disa vende. Në momentin e arrestimit nga policia turke, Rexhepit iu gjetën mijëra euro dhe bizhuteri me vlerë të madhe, si dhe armë zjarri. Ai po qëndronte në një vilë luksoze në Stamboll, ku kishte udhëtuar me një pasaportë fallso, nën një identitet kolumbian, Benjamin Omar Perez Garcia./Zëri.ai