
TURQI-Është arrestuar në Turqi Dritan Rexhepi, një prej personazheve më të njohura të krimit dhe trafikut të drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe BE. Rexhepi kishte udhëtuar drejt Stambollit me një pasaportë kolumbiane.
Rexhepi është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare si porositësi i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, pas një konflikti me të vëllanë e tij për një sasi kokaine.
Ministri turk i brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se kreu i organizatës së drogës "Kompania Bello", Dritan Rexhepi, është arrestuar në operacionin e emëruar "Kartel" në Stamboll.
Rexhepi kishte udhëtuar drejt Turqisë me një pasaportë me identitetin Benjamin Omar Perez Garcia.
Vendndodhja e Rexhepit u zbulua si rezultat i punës së përbashkët mes autoriteteve të Policisë në Turqi, dhe inteligjencës së policisë italiane.
Rexhepi ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane. Pasi shpëtoi nga qelia, Rexhepi e zhvendosi aktivitetin e tij në Amerikën Latine, ku u bë drejtues i klanit Bello që dyshohet se ka sjellë tonelata me kokainë në drejtim të Europës.
/Zëri.ai