
KAVAJË- Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Qerret-Mali i Robit, në Kavajë. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se viktimë e aksidentit ka mbetur 47-vjeçari Fatmir Duda. Ky i fundit ka qenë duke udhëtuar me një çiklomotor në momentin kur është përplasur nga një makinë dhe ka ndërruar jetë në vend.
Mësohet se drejtuesja e automjetit që shkaktoi aksidentin fatal ka qenë shtetasja Iris Guma, e cila është ish-gruaja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Guma me profesion stomatologe, ka mbetur dhe vetë e plagosur si pasojë e aksidentit të ndodhur.
Ajo u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet dhe jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të shkakut të aksidentit.